Drejtuesi i Institutit për Afirmimin e Marrëdhënieve Ndëretnike, Fatmir Sheholli, ka thënë se ka shërbyer në Shërbimin Informativ të Kosovës në periudhën e pasluftës në Kosovë, derisa paralufte “kam punuar për Lidhjen Demokratike të Kosovës”.
Sheholli, në një rrëfim personal rreth aktiviteteve të tij në shërbimet informative, ka deklaruar se se edhe gjatë kohës kur punonte në Sigurimin Shtetëror serb ka shërbyer si spiun i Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Rrëfimi i Shehollit erdhi si kundërpërgjigje ndaj shtetit serb, i cili, sipas tij, ia ka ndaluar atij hyrjen në Serbi.
“Këta mua me ma ndalu hyrjen në Serbi? Po kjo është diktatura më e fëlliqur në botë. Kam shkuar deri në kufi dhe e kam parë aty që më kanë bllokuar hyrjen, por jam kthyer kur e kam marrë vesh dhe s’kanë mund të më arrestojnë”, ka thënë Sheholli të hënën në mbrëmje, në emisionin Politiko të Kanal 10.
Sipas Shehollit, shteti serb po përpiqet ta arrestojë atë lidhur me deklarimet e tij se ka punuar për LDK-në në periudhën e paraluftës, kur shqiptarët ishin dëbuar nga të gjitha institucionet shtetërore.
“Unë qe 30 vite merrem me krijimin e marrëdhënieve të mira, jo vetëm serbo-shqiptare, por edhe mes komuniteteve të tjera. Unë nuk guxoj me hy në Serbi për shkak të deklaratave të mia në emisionin e Adnan Merovcit për shkak se kam treguar që në kohën kur kam punuar në Sigurim Shtetëror kam punuar për Lidhjen Demokratike të Kosovës për dy vite u kam dërguar informacione”, ka deklaruar ai.
Në periudhën e pasluftës, ai ka thënë se është kyçur në Shërbimin Informativ të Kosovës (ShIK), një shërbim sekret i udhëhequr nga njerëzit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Sheholli ka pohuar se shef i tij ka qenë ish-kreu i ShIK-ut, Kadri Veseli. Ka thënë se ka bashkëpunuar ngushtë me dy krerët e lartë të ShIK-ut: Elmi Reçicën dhe Latif Gashin.
“Pas lufte kam punuar për Shërbimin Informativ të Kosovës dhe shef i im ka qenë Kadri Veseli, me mburrje e them këtë sepse e kam thënë kontributin në këto sfera. Bashkëpunëtorë kryesor i kam pasur Elmi Reçicën dhe Latif Gashin”, ka vijuar rrëfimin Sheholli. “Biles, më kujtohet Elmiu më pati thënë ‘Fatmir, prej lloçit na duhet me i maru disa serbë që e pranojnë shtetësinë e Kosovës’”.
Të hënën në mbrëmje, Sheholli ka akuzuar Dritan Abazoviqin, kryeministrin e Malit të Zi, për bashkëpunim me serbët, duke u bazuar në disa fjalë që ai ka thënë se i ka dëgjuar nga një politikan i rëndësishëm serb në Kosovë.
“Dëgjoje këtë, është para një viti. Një njeri i fuqishëm i politikës serbe në Kosovë ma ka thënë tekstualisht: ‘Ky është njeri i joni edhe s’ka ka shkon hiç’. Kështu ma ka thënë një politiikan shumë i fuqishëm i serbëve të Kosovës”, ka theksuar Sheholli.
Aktualisht, Sheholli është anëtar i shoqërisë civile dhe drejton një institut në Graçanicë.