Bashkimi Evropian pret shumë para se të merr vendime, kështu priti edhe në raport me Ukrainën dhe nuk ia dha statusin kandidat para se Rusia ta sulmonte, ka thënë zëvendës-kryeministrja e Kosovës dhe ministrja e Punëve të Jashtme në fjalimin e saj në forumin e Dubrovnikut, ku po marrin pjesë liderë të rajonit dhe ata të Bashkimit Evropian.
Rreziku është që njëjtë të pres edhe në Ballkanin Perëndimor shtoi Gërvalla, qysh në fillim të fjalimit të saj.
“Kemi pasur një Samit në BE kohëve të fundit dhe pse ne pritëm shumë, ishte një samit i bisedave të këndshme, por jo aq i punëve të bëra. Them kështu, sepse kishim këtë diskutim që Ukrainës t’i jepej statusi kandidat, përpara se Rusia ta niste luftën kundër Ukrainës, dhe kemi parë atëherë se ka pasur shumë skeptikë në BE. Pastaj erdhi lufta. Tash u mor vendimi i duhur, sepse është e rëndësishme të ndihmohet Ukraina. Por, prandaj, është e rëndësishme të mos pritën luftëra të tjera në Ballkan, por të integrohet ky rajon i Evropës në Bashkimin Evropian, sepse është gjëja normale për t’u bërë”, deklaroi Gërvalla në forum.
Ajo ka marrë shembuj shtetet si Kroacia, Sllovenia e Greqia për t’u thënë liderëve evropianë se Ballkani është i përgatitur jo vetëm të jetë i barabrtë me shtetet tjera të BE-së, por edhe t’i kontribuojë unionit.
Gërvalla ka vazhduar fjalën e saj duke shtuar se “të gjitha 5 vendet e Ballkanit Perëndimor (përjashto Serbinë) kemi provuar të bëjmë edhe më shumë se sa na është kërkuar në raport me sanksione ruse. Kosova është në linjë të plotë me sanksionet nga Perëndimi. Kemi pranuar gazetarë ukrainas dhe kemi krijuar hapësirë jete e pune për këta gazetarë”.
Gërvalla merr shembull protestat në Shqipëri e Maqedoni të Veriut
Duke folur për nevojën e menjëhershme të integrimit, Gërvalla mori shembull protestat e fundit në Shqipëri e Maqedoni, si nuanca të pakënaqësisë që mund të rriten nëse Ballkani vazhdon të mbetet jashtë.
“Ballkani Perëndimor është rajon që i takon BE-së dhe prandaj vonesat nuk kontribuojnë as në BE e aq më pak në rajon”, tha ajo.
“E keni parë çfarë ka ndodhur në Shqipëri. Kemi pasur mijëra e mijëra në sheshin kryesor në Tiranë duke protestuar kundër qeverisë, në anën tjetër shohim protestat e dhunshme në Maqedoninë e Veriut dhe duhet ta kuptojmë se është koha që të veprojmë e jo veç te flasim për integrim”.
Ministrja kosovare deklaroi se “problemet s’mund të injorohen”, pasi “ato janë aty”.
“Nëse veç nuk diskutojmë s’është e thënë se ato do zhduken”.
Serbia, sateliti i Rusisë
Në një nga pjesët e fjalimit Gërvalla s’la pa përmendur Serbinë dhe rolin e saj jo konstruktiv.
“S’mund të jemi të heshtur se një nga vendet (Serbia) s’ka treguar solidaritet për Ukrainën dhe kjo duhet të ndryshojë, por kjo nuk do të ndryshojë thjesht duke i kërkuar Serbisë që të mos e bëjë (përkrahjen për Rusinë)”.
“Po ne jemi për integrim, por kjo duhet të jetë bazuar në meritë. Ne s’jemi për integrim për vende që nuk janë gati të tregojnë se qëndrojnë me vlerat perëndimore. Sepse kjo s’ka të bëjë me parët/lekët, por me vlerat evropiane”.