Sunday, November 24, 2024
HomeLajmeKosovaGjendja e rënduar, zjarrfikësit kërkojnë ndihmën e shtetit

Gjendja e rënduar, zjarrfikësit kërkojnë ndihmën e shtetit

Sindikata e zjarrfikësve të Kosovës, me rastin e 4 majit Ditës ndërkombëtare të zjarrfikësve, ka shprehur serish shqetësimin e saj lidhur me gjendjen e vështirë që po mbretëron në këtë shërbim.

 

Në një deklaratë për media, sindikata iu bën thirrje institucioneve qendrore dhe atyre lokale që t’i vizitojnë nesër shërbimet zjarrfikëse dhe shpëtimit dhe drejtpërdrejt të njoftohen mbi problemet dhe sfidat që ballafaqohen zjarrfikësit vite me radhë.

“Ftojmë institucionet vendimmarrëse që urgjentisht të shtrohet kjo çështje, të analizohet gjendja e shërbimit të zjarrfikësve dhe shpëtimit, të krijohen kushte normale për punë, siguri në punë, të rritet gatishmëria emergjente që ky shërbim të jetë funksional dhe të arsyetojë themelimin, misionin e shenjtë të zjarrfikësve shpëtimin e jetës së njeriut dhe të mirave materiale”, thuhet në deklaratë.

Për më tepër, Sindikata e zjarrfikësve të Kosovës kërkon ndërmarrjen e veprimeve të pushtetit qendror dhe lokal me qëllim të përmirësimit të gjendjes aktuale për zjarrfikësit.

“Shpresojmë se viti tjetër këtë shërbim ta gjejë në kushte më të mira, të sigurohet buxhet, të definohen kompetencat menaxhuese, një organizim te mirë, të përgatitur për sfidat e ndryshme që mund të paraqiten në situata emergjente”, thuhet ndër tjera në deklaratë.

Deklarata e plotë:

4- Maji – Dita ndërkombëtare e zjarrfikësve, këtë shërbim edhe këtë vit e gjen ne gjendje të pa lakmueshme dhe mjaft të rëndë në të gjitha aspektet, si organizimi, menaxhimi, kapacitetet teknike, gjithashtu dhe resurset humane njerëzore.

Në këtë ditë të shënuar ndërkombëtare në shtetet e tyre ku veprojnë, zjarrfikësit vizitohen nga institucionet dhe mekanizmat shtetërorë iu jepen mirënjohje, falënderime, demonstrojnë shkathtësitë profesionale që dëshmojnë gatishmërinë emergjente për t’iu dalë në ndihmë qytetarëve në çdo moment.

Te ne në Kosovë kjo ditë kalon në heshtje, shërbimin e zjarrfikësve e gjen në një pozitë shumë të vështirë dhe thuajse të papërballueshme, ku zjarrfikësit përballen me shumë vështirësi në të gjitha aspektet.

Zjarrfikësit e Kosovës funksionojnë në mos përputhje të plotë me ligjet në fuqi, të injoruar, të anashkaluar dhe pa asnjë përkujdesje institucionale, që ka ngritë indinjatë te thellë te kjo kategori e të punësuarve.

Zjarrfikësit nuk kanë status të drejtë juridik (statusi i zjarrfikësve është i shërbyesve civilë) nuk kanë definim të kompetencave menaxhuese, dualizëm i krijuar në mes te pushtetit qendror dhe lokal.

Vakumi i krijuar ne mes te AME/ MPB, dhe Komunave, ka krijuar telashe dhe zjarrfikësit janë pa buxhet të planifikuar, pa pajisje personale, pa automjete dhe teknikë zjarrfikëse, nuk posedojnë pajisje të sigurta për punë, pajisje të pa testuar dhe të kontrolluara sipas deklaratës së prodhuesit pa uniforma, pa simbole, numri jashtëzakonisht i vogël i zjarrfikësve, jashtë çdo kriteri, kjo gjendje e krijuar ku drejtpërdrejt zjarrfikësit rrezikojnë shëndetin e tyre dhe mund të themi edhe jetën, ku dëshmojnë rastet e lëndimit në vendin e punës të zjarrfikësve, të cilët gjatë aktiviteteve të punës morën lëndime të rënda dhe askush nga institucionet, punëdhënësi nuk doli në ndihmë, ku të gjitha shpenzimet mjekësore është dashtë që t’i kryejnë vetë zjarrfikësit.

Në vazhdimësi kemi kërkuar nga institucionet, qe nga viti -2010, që kjo gjendje të përmirësohet dhe të krijohen kushte normale për punë, por asnjëherë nuk treguan gatishmëri për të zgjedhur problemet dhe situatën e krijuar. Zjarrfikësit nuk kompensohen për orët jashtë orarit të punës, për ndërrimet e natës, për festa shtetërore, koeficienti më i ulët nga të gjitha kategoritë e të punësuarve në vend.

Shfrytëzoj rastin që Shërbimit të Zjarrfikësve në vendin tonë dhe Zjarrfikësve kudo që janë, iu urojmë ditën ndërkombëtare të zjarrfikësve, duke iu uruar shëndet, suksese dhe i përgëzojmë për sakrificën dhe gatishmërinë për të shërbyer vendit kurdo që paraqiten raste emergjente.

Nesër me rastin e 4 majit Ditës ndërkombëtare të zjarrfikësve, institucioneve qendrore, MPB/AME dhe atyre lokale, kryetarëve të komunave iu bëjmë ftesë që t’i vizitojë shërbimet zjarrfikëse dhe shpëtimit dhe drejtpërdrejt të njoftohen me gjendjen e krijuar, për së afërmi të prekin problemet dhe sfidat që ballafaqohen zjarrfikësit vite me radhë, të prekin problemet dhe sfidat që ballafaqohen zjarrfikësit që nga pas lufta, me dekada.

Ftojmë institucionet vendimmarrëse që urgjentisht të shtrohet kjo çështje, të analizohet gjendja e shërbimit të zjarrfikësve dhe shpëtimit, të krijohen kushte normale për punë, siguri në punë, të rritet gatishmëria emergjente që ky shërbim të jetë funksional dhe të arsyetojë themelimin, misionin e shenjtë të zjarrfikësve shpëtimin e jetës së njeriut dhe të mirave materiale.

Me shpresë që institucionet vendimmarrëse do të reflektojnë pozitivisht në kërkesat e zjarrfikësve dhe të tejkalohet kjo gjendje që është krijuar, kërkojmë harmonizim të veprimeve të pushtetit qendror dhe lokal qe ky vakum institucional i krijuar të zgjidhet në të mirë të shërbimit, shpresojmë se viti tjetër këtë shërbim ta gjejë në kushte më të mira, të sigurohet buxhet, të definohen kompetencat menaxhuese, një organizim te mirë, të përgatitur për sfidat e ndryshme që mund të paraqiten në situata emergjente.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments