Hysni Gucati, ish-kryetar i Organizatës së Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), në ora 18:00 është nisur për t’u kthyer për në Hagë, ku po mbahet i burgosur.
Atij, të dielën i është mundësuar të kthehet në Kosovë, pasi nëna e tij është e sëmurë dhe gjendet në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Në një video të siguruar nga T7, shihet teksa Gucati doli nga spitali ku është takuar me nënën e tij.
Pos me nënën, Gucati për një orë raportohet të ketë qëndruar edhe me pjesën tjetër të familjes, në zyrat e EULEX-it, Prishtinë.
Më pas ai është dashur të kthehet në Hagë, ku mbahet i burgosur për “ndërhyrje në drejtësi”.
Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj janë dënuar me 4 vjet e gjysmë burgim nga Gjykata Speciale.
Kështu do t’iu llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim, rreth dy vjet, e si rrjedhojë do të qëndrojnë në burg edhe 2 vjet e gjysmë.
Gucati e Haradinaj ishin kundër votimit të Gjykatës Speciale në vitin 2015. /Express