Ish-komandanti i gardës ceremoniale të TMK-së ka konfirmuar prezencën e tij në stacionin policor lidhur me dyshimin se ka sulmuar dy zyrtarë policorë mirëpo nuk ka dhënë detaje, të cilat thotë se do t’i japë pas përfundimit të hetimeve. Zyrtarët policorë janë jashtë rrezikut për jetë.
Policia e Kosovëska bërë të ditur se një shkëmbim zjarri në mes të Policisë dhe dy pjesëtarëve të saj është raportuar të ketë ndodhur në orët e hershme të së dielës, në Skenderaj, si pasojë e të cilit njëri nga zyrtarët policor është plagosour me armë zjarri në këmbë dhe tjetri është lënduar nga mjetet e forta.
Mësohet se personat e dyshuar për plagosjen e policëve janë ish-gjenerali Nuredin Lushtaku, dy djemtë dhe vëllezërit e tij.
Lajmin e ka konfirmuar vetë ish-gjenerali Lushtaku për RTV Dukagjinin, i cili nuk ka dhënë detaje dhe ka thënë se nuk do të japë deri në përfundimin e hetimeve nga Policia e Kosovës. Momentalisht, ai ka thënë se gjendet në stacionin policor.
Ndërkaq, bëhet e ditur se dy zyrtarët policorë janë jashtë rrezikut për jetë.“Të dy zyrtarët policorë janë jashtë rrezikut për jetë, të njëjtit janë dërguar në QKUK për trajtim mjekësor. Deri në këtë fazë dy persona janë arrestuar dhe dy të tjerë ndodhen në kërkim nga Policia. Lidhur me rastin janë duke u ndërmarrë veprime operative dhe hetimore në bashkëpunim dhe koordinim me institucionet relevante”, ka bërë të ditur Policia e Kosovës.
Incidenti raportohet të ketë filluar nga dy djemtë e tij pas një shqiptimi të një tikete trafiku. Sherri kishte filluar me shfaqjen e ish-deputetit dhe dyshohet se të përfshirë në konflikt, ishin edhe të djemtë e tij.
Policia e Kosovës tashmë është vënë në lëvizje që të arrestohen të dyshuarit, të cilët kishin qëlluar me armë zjarri drejt zyrtarëve policorë, si dhe njëherësh, i kishin rrahur ata.
Lushtaku ishte nënkryetar i komunës së Skenderajt, deputet i Kuvendit të Kosovës në legjislaturën e pestë të tij, dhe komandant i gardës ceremoniale të TMK-së.