Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, prezantoi planin e pagesave së ndihmave për qytetarët dhe ekonominë gjatë muajit maj, duke deklaruar se procesi do të fillojë të enjten më 6 maj, me pagesën prej 30 eurove të ndihmës për pensionistët.
Një ditë më vonë, të premten më 7 maj, 30 euro do t’u paguhen përdoruesve të ndihmës sociale dhe “njerëzve në institucione për ekzekutimin e sanksioneve penale”.
“Në datën 10 maj, ne do të paguajmë 50 përqind të minimumit për sipërmarrësit, mikro, të vogla dhe të mesme dhe ndërmarrje të mëdha, ndërsa më 12 maj, ne do të fillojmë të paguajmë 30 euro për të gjithë qytetarët e tjerë që kanë aplikuar”, ka deklaruar Vuçiq në një video në Instagram, raporton Kossev.
Ai njoftoi se pagesa prej 100 eurove për të gjithë shtetasit e kombësisë serbe në Kosovë, të cilët janë regjistruar, ose 200 euro për të papunët nga Kosova dhe Metohia, do të fillojë në 20 maj.
“Menjëherë pas kësaj, ne do të shkojmë me këstin e dytë prej 600 eurosh për kamionistët,” shtoi Vuçiç.
Ai përsëri u bëri thirrje qytetarëve që të vaksinohen kundër koronavirusit.
“Le të përpiqemi t’i japim fund kësaj epidemie, për ta mposhtur atë. Atëherë do të kemi edhe më shumë sukses dhe rezultate edhe më të mira “, tha Vuçiq.