Monday, November 25, 2024
HomeLajmePasi Franca s’bëri gjë, Kurti pret që çekët ta përmbyllin punën e...

Pasi Franca s’bëri gjë, Kurti pret që çekët ta përmbyllin punën e vizave

Populli i Kosovës ka pritje të mëdha nga Republika Çeke dhe lidershipi i saj për të mbyllur çështjen e kahershme të liberalizimit të vizave dhe për t’i dhënë fund izolimit të qytetarëve kosovarë në Evropën kontinentale, tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në pritjen e organizuar me rastin e marrjes së presidencës së Bashkimit Evropian nga Republika Çeke.

” Populli i Kosovës ka pritje të mëdha nga Republika Çeke dhe lidershipi i saj për të mbyllur çështjen e kahershme të liberalizimit të vizave dhe për t’i dhënë fund izolimit të qytetarëve kosovarë në Evropën kontinentale”, ka thënë Kurti.

Ai theksoi se Kosova, si i vetmi kandidat potencial për Bashkimin Evropian që nuk ka aplikuar ende për anëtarësim në BE, gjithashtu pret me padurim për të punuar së bashku ngushtë në gjashtë muajt e ardhshëm, ndërsa përgatit aplikimin për anëtarësim në BE.

Kryeministri potencoi se Kosova është lider rajonal në një sërë renditjesh ndërkombëtare për sundimin e ligjit dhe të drejtat e njeriut, duke përfshirë Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit të Transparency International, Indeksin Botëror të Lirisë së Shtypit, V-DEM dhe Indeksin Botëror të Drejtësisë. Së fundmi RCC publikoi Barometrin Ballkanik, i cili tregoi se qytetarët kosovarë kishin pritshmëritë më të mira për të ardhmen e tyre (49%). Kryeministri Kurti tha se pritjet e tilla të qytetarëve tanë duhet të përputhen me përgjigjen pozitive të Bashkimit Evropian.

Kjo presidencë ka një agjendë sfiduese dhe ambicioze, duke përfshirë mbështetjen për Ukrainën, sigurinë energjetike, mbrojtjen dhe sigurinë kibernetike, qëndrueshmërinë ekonomike dhe mbrojtjen e vlerave tona të përbashkëta demokratike, tha kryeministri Kurti.


Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti
:


E nderuara zonja Presidente Vjosa Osmani,

I nderuari i Ngarkuar me Punë, z.Pavel Bílek,

I nderuari shef i Zyrës së BE-së në Kosovë, Ambasador Tomáš Szunyog,

Të nderuar ministra të Qeverisë, deputetë të Kuvendit,

Të nderuar ish-presidentë Sejdiu dhe Jahjaga,

Të nderuar të ftuar,

Ju faleminderit për këtë pritje me rastin e fillimit të Presidencës Çeke. Gjashtë muajt e ardhshëm vijnë në një kohë vendimtare për kontinentin tonë. Vlerat tona të përbashkëta për të cilat kemi luftuar shumë për t’i arritur: liria dhe liritë individuale, të drejtat e njeriut, demokracia dhe sundimi i ligjit janë të gjitha në rrezik nga agresioni i paprovokuar dhe i pajustifikueshëm rus në Ukrainë. Kjo është arsyeja pse ne jemi përgjigjur kolektivisht duke vendosur sanksione kundër Federatës Ruse dhe duke treguar solidaritet dhe mbështetje për Ukrainën dhe popullin e saj. Kosova është rreshtuar me sanksionet e BE-së dhe me politikën e BE-së kundër Federatës Ruse. Dhe ne kemi treguar solidaritet me popullin ukrainas duke ofruar strehim për refugjatët, ndihmë humanitare dhe duke ofruar strehim dhe kushte pune për gazetarët ukrainas.

Së bashku, ne duhet të sigurohemi që veprimet tona, përfshirë sanksionet dhe mbështetjen tonë për Ukrainën, i dërgojnë një mesazh të qartë Federatës Ruse se ata nuk mund dhe nuk do të arrijnë sigurinë, prosperitetin ose statusin që kërkojnë në botë përmes forcës brutale, as nuk do t’u lejohet atyre të diktojnë të ardhmen e kujtdo.

Tashmë ju ka kaluar stafeta juve për të udhëhequr Bashkimin Evropian, dhe në një masë të madhe Evropën, në gjashtë muajt e ardhshëm. Por një vend që ka njohur luftën dhe paqen, që ka dëshmuar ngritjen dhe rënien e perandorive dhe që ka nisur Revolucionin e Kadifenjtë pa asnjë të shtënë, e di shumë mirë se çfarë është në rrezik dhe çfarë kërkohet.

Kjo presidencë ka një agjendë sfiduese dhe ambicioze, duke përfshirë mbështetjen për Ukrainën, sigurinë energjetike, mbrojtjen dhe sigurinë kibernetike, qëndrueshmërinë ekonomike dhe mbrojtjen e vlerave tona të përbashkëta demokratike.

Këto tema kërkojnë një frymë të re uniteti dhe pune të palodhur e këmbënguljeje.

Ballkani Perëndimor është i rrethuar nga BE, ashtu siç jam unë sot i rrethuar nga ju. Ne ndajmë jo vetëm kufij të përbashkët, por edhe histori të përbashkët, vlera dhe të ardhme të përbashkët.

Realiteti i ri pas 24 shkurtit të këtij viti, është gjithashtu një mundësi e re për Bashkimin Evropian që të udhëheqë me një ndjenjë urgjence në sigurimin e paqes në Ballkanin Perëndimor duke përshpejtuar reformat dhe duke përmbushur premtimet e tij.

Populli i Kosovës ka pritje të mëdha nga Republika Çeke dhe lidershipi i saj për të mbyllur çështjen e kahershme të liberalizimit të vizave dhe për t’i dhënë fund izolimit të qytetarëve kosovarë në Evropën kontinentale.

Si i vetmi kandidat potencial për BE që nuk ka aplikuar ende për anëtarësim në BE, ne gjithashtu presim me padurim të punojmë së bashku ngushtë në gjashtë muajt e ardhshëm, ndërsa përgatitim aplikimin tonë për anëtarësim në BE.

Kosova është lider rajonal në një sërë renditjesh ndërkombëtare për sundimin e ligjit dhe të drejtat e njeriut, duke përfshirë Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit të Transparency International, Indeksin Botëror të Lirisë së Shtypit, V-DEM dhe Indeksin Botëror të Drejtësisë. Së fundmi RCC publikoi Barometrin Ballkanik, i cili tregoi se qytetarët kosovarë kishin pritshmëritë më të mira për të ardhmen e tyre (49%). Pritjet e tilla të qytetarëve tanë duhet të përputhen me përgjigjen pozitive të BE-së.

Tani është koha për më shumë Bashkim Evropian, jo më pak. Është gjithashtu koha për të kuptuar se siguria e Evropës nuk mund të shkëputet nga siguria e Ballkanit Perëndimor. Diçka që Republika Çeke e kupton mirë. Prandaj, jam i sigurt se nën këtë presidencë, Bashkimi Evropian do ta vendosë Ballkanin Perëndimor në qendër të vëmendjes së tyre në gjashtë muajt e ardhshëm.

Po e përmbylli këtë fjalë, duke kujtuar fjalët e Vaclav Havel, një prej evropianëve më të mëdhenj të epokës sonë, thënë para Parlamentit Evropian në Strasburg:

“Ideja e dy Evropave që jetojnë krahpërkrah, ideja e një Evrope demokratike, të qëndrueshme, të begatë në rrugën e integrimit dhe një Evropë më pak demokratike, më pak stabile dhe më pak të begatë është, për mendimin tim, krejtësisht iluzore. Tingëllon si ideja e bashkëjetesës së qëndrueshme në një dhomë gjysmë të përmbytur dhe gjysmë të thatë. Pavarësisht dallimeve të saj, Evropa është e pandashme dhe çdo gjë serioze që i ndodh do të ketë pasoja për pjesën tjetër të kontinentit.”

Ju falemnderit!

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments