Shqyrtimi i dytë i Projektligjit për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë dhe të dhuratave, ka përplasur sot në Kuvend, ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe shefin e Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri.
Ky i fundit kërkoi që profesorët dhe mjekët të largohen nga Projektligji për deklarimin e pasurisë, pasi sipas tij, asnjëra kategori nuk është i ekspozuar ndaj korrupsionit dhe aferave korruptive.
“Le që e kemi dhënë kontributin e çmueshëm në këto amendamente, por edhe në draftim 2018-2019…Kemi kërkuar që të kemi një dakordim që profesorët e universitetit dhe mjekët të largohen nga listat e deklarimeve…Ne jemi kundër pasi ata nuk janë një kategori që menaxhojnë me paratë publike, mjekët po ashtu, pasi nuk janë një kategori që menaxhojnë me paranë publike, s’janë të ekspozuar ndaj korrupsionit dhe aferave korruptive”, tha ai.
Por, ministrja Haxhiu, tha se propozimi i tyre është që dy këto kategori duhet të deklarojnë pasurinë, mirëpo deklarimi i tyre mos të jetë publik.
“Propozimi i Qeverisë së Kosovës ka qenë që edhe mjekët dhe profesorët universitar të deklarojnë pasurinë, por deklarimi të mos jetë publik. Pasi kur është hartuar strategjia për sundimin e ligjit, ka rezultuar se këto janë profesione të ndjeshme dhe duhet të adresohet deklarimi i pasurisë së tyre”, theksoi ajo.
Paraprakisht, deputetët miratuan në lexim të dytë Projektligjin për Agjencinë për parandalimin e korrupsionit