Monday, November 25, 2024
HomeLajmePostimet për veteranët që e nxorën para “gjyqit” Hekuran Muratin, Kurti i...

Postimet për veteranët që e nxorën para “gjyqit” Hekuran Muratin, Kurti i quan të vjetra

Ministri Hekuran Murati u bë protagonisti i skenës politike këtë javë. Shkak disa statuse të tij në Facebook, të shkruara para gjashtë vjetëve, pasi u njoh statusi i rreth 60 mijë vetave si veteranë. Aktualisht të gjithë reflektorët janë kthyer kah Ministri i Finacave. Po kërkohet shkarkimi, ose dorëheqja e tij. Kurti foli sot për postimet e Muratit, la të kuptohet se janë shumë të vjetra për t’u marrë me to.

Një postim i vitit 2016, pastaj edhe disa tjerë, të ministrit të tanishëm të Financave, Hekuran Murati, janë bërë kryetemë e mbrëmjes që kaloi, në rrjete sociale dhe në studio televizive.

Murati, atëherë pa ndonjë pozitë shtetërore, në një postim të vitit 2016, kishte komentuar pagesat e veteranëve, pasi statusi u ishte dhënë rreth 60 mijë vetave.

“Përderisa pagesa për veteranët po don me kalu 100 milionë euro në vit, për vitin 2016 buxheti për FSK-në asht vec 45.1 milionë euro. Për vitet 2017 dhe 2018 shkon tu ra madje, 44.8 dhe 44.6 përkatësisht. Këta tre muj lufte të një ushtrie guerile dojnë me na dalë shumë ma shtrejtë se ni ushtri e rregullt”.

Fillimisht nisi të shpërndahej ky postim i ministrit Murati, për t’i paraprirë kërkimeve në arkivat e Facebook-ut të profilit personal të ministrit. Po shpërndaheshin edhe postime të tjera të tij, të vitit 2016.

Për shkak të këtyre postimeve, nisën reagimet dhe kërkesat për ta shkarkuar ministrin, ose të dorëhiqej vetë.

Partia Socialdemokrate ka nisur të shpërndajë numrin personal të telefonit të ministrit Murati. Drejtuesit e kësaj partie, nisur nga kryetari Dardan Molliqaj, u kanë kërkuar ndjekësve të tyre që t’i shkruajnë ministrit mesazhe në numrin e tij të telefonit.

Xhevdet Qeriqi, përfaqësues i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dje, duke komentuar postimet e Muratit, është përlotur në studio televizive.

Ai tha në Kanal10 se ishte prekur nga to dhe tha se ende ndjen dhimbje nga plagët e marra në luftë.

Shumë e kanë lidhur qëndrimin e shprehur dikur, të ministrit Murati, me qasjen që, sipas tyre, ka pasur Qeveria Kurti ndaj veteranëve, pas mospërfshirjes së tyre në ligjin për pagën minimale, edhe pse këtë e kërkonin organizatat e dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Për shkrimet e moçme të vartësit të tij, është pyetur sot kryeministri Albin Kurti. Ai ka thënë se nuk është komentues dhe se nuk është as temë as prioritet për të, që të merret me komentuesit e “temave të shumë vjetëve”.

“Unë jam kryeministër por jo komentues. Komentues ka pafund. Kryeministri qeveris me vendin për çështje madhore, dhe çka shkruajnë komentuesit për tema të shumë vjetëve nuk mund të jenë temë as prioritet për mua”, ka thënë Kurti sot, transmetoi Gazeta Express.

Por, për numrin e veteranëve dhe pastrimin e listave të veteranëve ka folur edhe vetë Kurti, gjatë këtij muaji.

Pak javë më parë, qytetarë të drejtuar nga organizatat e veteranëve të luftës kanë protestuar para Kuvendit, ku Qeveria kishte çuar projektligjin për pagën minimale, pa përfshirjen e veteranëve aty. Në Kuvend ishte zhvilluar debat i ashpër mes pozitës dhe partive opozitare të themeluara nga pjesëtarë të UCK-së, të cilat përkrahnin kërkesat e veteranëve.

Kryeministri Kurti dikur nisi negociatat me përfaqësuesit e veteranëve, e pas bisedimeve me ta thoshte se ‘veterani’ dhe ‘paga’ s’duhet futur në një fjali.

“Unë nuk besoj që në Republikën e Kosovës fjalën veteran dhe luftëtar e çlirimtar në njërën anë, dhe fjalën pagë në anën tjetër, duhet t’i kemi në të njëjtën fjali. Këto janë beneficione për veteranët si mirënjohje e shoqërisë, por jo pagë. Paga merret në kohën e tashme të vazhdueshme jo për diçka para 23 vjetëve. Kjo nënkupton që beneficioni nuk bën të lidhet me pagën minimale. Unë besoj që beneficioni për veteranët duhet të jetë më i lartë se paga minimale. Por për këtë kam kërkuar që paraprakisht të bëhet një rregullim i listave sepse duhet të vijmë tek e vërteta historike ashtu siç ka qenë. Nuk kemi nevojë ta shtojmë numrin e veteranëve që të ndihemi krenarë”, ka thënë Kurti më 18 qershor.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments