Komentet e Zelenskyt në video-mesazhin e tij të natës të enjten pasuan një njoftim nga kryeministri, Denys Shmyhal, se eksportet kishin filluar më herët gjatë ditës – me një vëllim prej 100 megavat – katër muaj pas luftës së Rusisë kundër Ukrainës.

“Falë energjisë elektrike të Ukrainës, një pjesë e konsiderueshme e gazit rus të përdorur nga konsumatorët evropianë mund të zëvendësohet. Prandaj, kjo nuk është vetëm një çështje e të ardhurave nga eksporti për ne, por një çështje sigurie për të gjithë Evropën”, pohoi ai.

“Më lejoni t’ju kujtoj se lidhja e vendit tonë me sistemin e përbashkët energjetik të BE-së u bë tashmë pas fillimit të luftës. Ukraina po bën gjëra tani që dikur dukeshin të pamundura”, shtoi i pari i shtetit ukrainas.

Ukraina arriti marrëveshje në mes të muajit mars për t’u bashkuar me Rrjetin Evropian të Operatorëve të Sistemit të Transmetimit (Entso-E) si vëzhgues pasi rrjeti i saj ishte i lidhur me atë të BE-së.

Entso-E njoftoi këtë javë se përgatitjet kishin përfunduar për eksportet e para nga Ukraina, së bashku me energjinë nga ish-shteti sovjetik Moldavia, duke filluar nga 30 qershor – duke përdorur një ndërlidhje me Rumaninë.

Grupi tha se kapaciteti i përgjithshëm tregtar do të vendoset fillimisht në 100 MW në fazën e parë.

Në njoftimin e mëparshëm, Shmyhal tha se potenciali i eksportit të energjisë elektrike të Ukrainës drejt Evropës mund të arrijë në 2.5 gigavat.