Gjykata Speciale nuk është lëshuar në detaje se sa do të qëndrojë Kadri Veseli në Kosovë, e këtë po e bëjnë për të respektuar privatësinë e tij.
Në një përgjigje me shkrim , Zëdhënësja e Dhomave të Specializuara, Angela Griep, tha se nuk mund të japin informacione shtesë lidhur me qëndrimin e ish kreut të PDK-së në Kosovë.
“Për arsye operacionale dhe për të respektuar privatësinë e Z. Veseli, ne nuk mund të japim ndonjë informacion shtesë mbi vizitën e kujdestarisë”, tha Griep .
Ndërsa mediat duke u thirrrur në burime të aftërta me familjarët e Veselit raportojnë se ai do të qëndrojë për tri ditë në Kosovë.
Veseli erdhi dje nga Haga ku po mbahej në paraburgim si i dyshuar për krime lufte, pasi gjendja shëndetësore e babait të tij është e rëndë.
Raportohet se gjendja shëndetësore e babait të Veselit është e rëndë dhe i njëjti po trajtohet në Repartin e Neurologjisë në Spitalin e Mitrovicës “Dr.Sami Haxhibeqiri”.
Kujtojmë se në fillim të nëntorit të vitit të kaluar, u arrestuan dhe u dërguan në Hagë katër ish-udhëheqësit politikë e ushtarakë të UÇK-së, ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kreyparlamentarët Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, si dhe ish-ministri i qeverisë së përkohshme, Rexhep Selimi.
Më 4 nëntor, ish-zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi u arrestua dhe u dërgua për në paraburgimin e Speciales. Për në të njëjtin destinacion, me një avion ushtarak, të nesërmen u nisën edhe ish-bashkëpunëtorët e tij në luftë, Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi.
Arrestimet erdhën pasi një gjyqtar i procedurës paraprake i Gjykatës Speciale, kishte konfirmuar aktakuzat ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së. Ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Aktakuza i bën përgjegjës Thaçin, Veselin, Krasniqin e Selimin për një sërë krimesh që pretendohet se janë kryer në disa qendra ndalimi gjatë viteve 1998-1999. Prokuroria e Specializuar i akuzon ata edhe se kanë qenë ose duhej të ishin në dijeni të këtyre krimeve