Kievi akuzon hapur Moskën se i ka vjedhur mbi 600 mijë tonë grurë për ta rishitur më pas jashtë vendit. Ajo që fillimisht dukej një propagandë, tani po gjen konfirmim. Për herë të parë në 8 vjet trena mallrash të mbushur me drithëra po udhëtojnë nga Donbasi në Krime e pas mbërritjes në Rusi nisen me anije drejt Afrikës dhe Lindjes së Mesme.
Këtë e tha publikisht shefi i administratës ushtarako-civile në Zaporizhian e kontrolluar nga rusët Evgenij Balitskij.
“Po dërgojmë grurë përmes Rusisë. Kontratat kryesore janë mbyllur me Turqinë. Trenat e parë janë kanë kaluar Krimenë me destinacion Lindjen e Mesme”, u shpreh Evgenij Balitskij.
Në muajin maj SHBA paralajmëroi shtetet e mundshme blerëse, pas informacioneve të inteligjencës se anije ruse të mbushura me grurë ukrainas po udhëtonin drejt Afrikës. Por 14 vendet të cilat kanë marrë mesazhin zyrtar nuk kanë shumë zgjidhje ndërsa janë në emergjencë të plotë ushqimore.
Çështja ishte në fokus të vizitës së Sergei Lavrov në Ankara, por nuk pati zhvillime të rëndësishme. Presidenti Volodymyr Zelensky paralajmëroi se miliona njerëz mund të vdesin urie për shkak të bllokadës ruse në portet ukrainase.
“Flota ruse bllokoi portet e Detit të Zi të Ukrainës duke e çuar botën në prag të një krize të tmerrshme ushqimore. Nuk është vetëm një krizë çmimesh. Ne nuk mund të eksportojmë grurin, misrin, vajin e lulediellit dhe mallra të tjera që luanin një rol stabilizues në tregun global. Miliona njerëz mund të vdesin nga uria nëse bllokada ruse në Detit të Zi vazhdon”, tha Zelensky.
Shefi i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres paralajmëroi se pasojat botërore të luftës ruse në Ukrainë po përkeqësoheshin duke prekur 1.6 miliardë njerëz. Guterres tha se ndikimi i konfliktit në sigurinë ushqimore, energji dhe financa është sistematik dhe po përshpejtohet. Sipas OKB lufta kërcënon botën me një krizë urie dhe varfërie të paprecedentë.