Caslav Joliq u nis mëngjesin e sotëm në Istog për të nxjerrë një dokument personal në qendrën e regjistrimit.
Por, shtypja e numrit të tij personal i doli “dardhë me bisht”.
Serbi nga Gurrakoci i Istogut ishte në kërkim nga Interpoli, për çka sistemi e nxori në pah. Pak minuta iu deshën patrolës së policëve civilë për të ardhur në vendin e ngjarjes ku edhe iu vënë prangat.
Por kush është në të vërtetë Joliq?
Burime të Indeksonline bëjnë të ditur se serbi është polic aktiv në Beograd.
Ai akuzohet për rrahjen e një kosovari nga fshati Gurrakoc pak para përfundimit të luftës.
I njëjti akuzohet edhe për tortura dhe maltretim të popullsisë civile në Istog si rezervist në ish-policinë serbe.
54 vjeçari u dërgua në Stacionin Policor në Istog, dhe me urdhër të Prokurorit është ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh.