PDK po e akuzon ministrin e Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damkën dhe kryediplomaten Donika Gërvallën se kanë keqpërdorur 1.1 milionë euro të buxhetit të shtetit. Sipas PDK-së, Damka dhe Gërvalla në gusht të vitit të kaluar kanë nënshkruar një memorandum bashkëpunimi me Caritas-in zviceran kundërligjshëm. Avokati që doli në konferencë me Musliu -Shoshin tha se janë shkelur katër ligje. E Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla ka reaguar në Facebook lidhur me këtë çështje duke thënë se s’ka keqpërdorur as një cent. Ndërkaq ministri Damka s’ka reaguar ende.
Në një konferencë për media, deputetja e PDK-së, Ariana Musliu Shoshi dhe avokati Faton Fetahu kanë denoncuar një keqpërdorim që sipas tyre e kanë bërë dy ministra e qeverisë Kurti, Donika Gërvalla dhe Fikrim Damka. Ata kanë prezantuar edhe dokumentin e marrëveshjes.
Musliu Shoshi tha se ministria e Zhvillimit Rajonal që udhëhiqet nga ministri Fikrim Damka ka nënshkruar një në gusht të vitit 2021 një memorandum bashkëpunimi me Caritas-in zviceran dhe kundërligjshëm janë shpenzuar 1 milionë e 40 mijë euro nga buxheti i shtetit.
Marrëveshja në fjalë është duke u realizuar pas pëlqimit zyrtar edhe të ministres së Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla të cilin edhe e ka nënshkruar.
Por partia më e madhe opozitare thotë se Caritas-i ziveran është OJQ dhe sipas legjislacionit në fuqi është e ndaluar të shpenzohet buxheti shtetëror në mënyrën se si është vepruar në këtë proces.
“Memorandumi është nënshkruar më datë 16 gusht 2021, nga ana e Ministrit Fikrim Damka dhe përfaqësuesve të Caritas-it Zviceran (CACH), ku statusi ligjor i këtij të fundit, është Organizatë Joqeveritare (OJQ), e regjistruar si e tillë në Ministrinë e Administratës Publike të Republikës së Kosovës. Me këtë rast, Ministria e Zhvillimit Rajonal, jo vetëm që nuk ka autorizim ligjor, por është shprehimisht e ndaluar me legjislacionin në fuqi që shpenzimi i buxhetit shtetëror të bëhet në mënyrën siç është vepruar në këtë proces, e mbi të gjitha, të nënshkruhet marrëveshje për ndarje fondesh publike me një Organizatë Joqeveritare, pa pasur shpallje publike e pa iu nënshtruar një gjë e tillë kritereve për çfarë shteti ka shpallur si interes me atë shpallje.”, ka thënë deputetja Musliu-Shoshi.
Sipas saj, Marrëveshje të tilla mund të lidhin ministritë vetëm me shtetet e huaja ose organizatat ndërkombëtare dhe vetëm nëse marrëveshjet e tilla nuk përmbajnë obligime të detyrueshme për Qeverinë.
Tutje sipas avokatit Faton Fetahu, marrëveshja në fjalë e dy ministrive me OJQ-në është në kundërshtim me katër ligje.
“E para, kjo marrëveshje është në kundërshtim me ligjin për marrëveshjet ndërkombëtare. E dyta, është në kundërshtim me ligjin për menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësitë. E treta, është në kundërshtim me ligjin për ndarjet buxhetore dhe e katërta, me legjislacionin e menaxhimit dhe shpenzimit të subvencioneve qeveritare.”, ka thënë avokati Fetahu.
Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka reaguar në Facebook pas denoncimit të PDK-së.
“Jo 1.1 milion Euro, por as edhe 1.1 Cent”, ka shkruar Gërvalla.