Sunday, November 24, 2024
HomeLajmeMbi 1700 pacientë në pritje për ndërhyrje në vena në Kirurgjinë Vaskulare

Mbi 1700 pacientë në pritje për ndërhyrje në vena në Kirurgjinë Vaskulare

Në Klinikën e Kirurgjisë Vaskulare lista e pritjes është 1770 pacientë, ndërsa klinika posedon vetëm 24 shtretër për të gjithë pacientët e hospitalizuar dhe ka mungesë të anesteziologëve. Kështu ka bërë të ditur për KosovaPress, drejtori i Klinikës së Kirurgjisë Vaskulare, Hajriz Rudari i cili u shpreh se në këtë klinikë pacientët po presin që nga viti 2018 për të kryer ndërhyrje kirurgjikale në vena.

Ai deklaroi se salla e dedikuar për vena është mbyllur në mungesë të anesteziologëve, ndonëse ka kirurgë për t’i kryer këto shërbime mjekësore.

“Fatmirësisht që venat nuk janë sëmundje që rrezikojnë jetën e qytetarëve se po të kishin qenë do të kishim pas shumë problem. Është patologji që mund të presë, pritet edhe në vendet e rajonit por jo kaq gjatë… Tash jemi në gjysmën e vitit 2018 duke i thirrur, për momentin këtë muaj nuk jemi duke thirr fare edhe muaji paraprak që ka shkuar thuajse nuk kemi punuar arsyeja është se nuk kemi anesteziologë. Salla e cila është e dedikuar për vena është vetëm duke ndenjur, është e mbyllur, kirurgë kemi, anesteziologë nuk kemi… 1770 pacientë për momentin janë në listë të pritjes”, theksoi ai.

Rudari tutje tha se kjo listë e pritjes është trashëguar qysh nga paslufta dhe gjithë ky fluks është për shkak se Klinika e Kirurgjisë Vaskulare është klinika e vetme në Kosovë që ofron trajtime të kirurgjike vaskulare.

Ai si problem e paraqet edhe mungesën e hapësirave dhe shtretërve në këtë klinik.

“Problemi që e kemi për momentin kemi me listën e pritjes së venave, ky problem na u ka trashëguar që nga paslufta është kështu duke pasur parasysh problemet që i kemi shfaq, duke marr parasysh se deri në kohën e fundit 2019-2020 është filluar salla speciale për vena nuk kemi pasur edhe sallë. Jemi i vetmi repart në Kosovë, ose e vetmja klinikë, që merremi me këtë problematik. Jemi shumë ngushtë sepse i kemi 24 shtretër për sa banorë ka Kosova është shumë pak duke marrë parasysh që përveç patologjisë së venave e trajtojmë edhe patologjinë e arterieve, patologjinë e fistulave arterio-venoze pacientët që hyjnë në dializë, pastaj e trajtojmë patologjinë e shputës diabetike… Ne duhet të marrim ndonjë shtrat, t’i shtrojmë dhe t’i bëjmë në vend të tre t’i bëjmë katër ose pesë dhe t’i shtrijmë, jo dy me një shtrat, por me shtri edhe një shtrat derisa të bëhet zgjedhje shpeshherë”, theksoi ai.

Drejtori i Klinikës Kirurgjike Vaskulare, Hajriz Rudari thotë se në rastet kur përkeqësohet gjendja e pacientëve atëherë e trajtojnë me emergjencë.

“Mund të përkeqësohet mund të marr pezmatim, por kur janë ato ne i trajtojmë me urgjencë edhe kemi raste kur bëhet varrë apo ne i themi në termin shkencor ulkus-venoz ulçerë të sipërfaqes për shkak të presionit të venave edhe ato nuk i lëmë të presin sepse shkaktohet varra dhe i trajtojmë me prioritet sepse pacienti ka shumë dhimbje dhe keqësohet gjendja. Kurse, venat të cilat janë të zakonshme dhe i kanë disa patologji që mund të durohen na duhet sepse jemi të detyruar, jo që kemi dëshirë”, u shpreh drejtori i Kirurgjisë Vaskulare.

Rudari tha se tashmë kanë adresuar një kërkesë në Ministrinë e Shëndetësisë dhe në drejtorinë e Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës që reparti i Kirurgjisë së Fëmijëve t’i ofrohet në dispozicion Kirurgjisë Vaskulare për t’u trajtuar pacientët me shputë diabetike.

Sipas tij, në këtë mënyrë do të pengohej përhapja e kësaj lloj sëmundjeje tek pacientët e tjerë, pasi infeksionet e shputës diabetike janë të transmetueshme.

“Një letër ia kam dërguar edhe ministritë të Shëndetësisë, por edhe drejtorisë dhe bordit që reparti i Kirurgjisë së Fëmijëve që është liruar të bëhet në repart të shputës diabetike sepse shputa ka infeksione, ka shumë gangrena dhe ne jemi të detyruar që atë pacient, me këtë problem arterial që mund të bartet infeksioni brenda hospitalor, që mundet që prej pacientit të pësojë pacienti sepse nuk kemi vend. Tash për ta larguar atë dhe për t’ju larguar infeksioneve hospitalore”, theksoi Rudari.

Drejtori i kësaj klinike po kërkon që sa më shpejt të fillojnë ofrohen këto trajtime kirurgjike edhe në spitalet e përgjithshme të Kosovës

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments