Saturday, November 23, 2024
HomeTop LajmetSBASHK-u kundër vlerësimit të nxënësve pa nota: Humb interesimi për të mësuar

SBASHK-u kundër vlerësimit të nxënësve pa nota: Humb interesimi për të mësuar

Për eliminimin e vlerësimit diferencial për shkollimin fillor, fillimisht nevojitet një debat i gjerë për të parë përparësitë dhe mangësitë që sjell kjo reformë, thonë persona nga komuniteti i arsimit.

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës e Kulturës, Rrahman Jasharaj në një intervistë për EO ka thënë se shpesh në Kosovë plasohen idetë pa u analizuar mirë. Sipas tij, eliminimi i notimit numerik në një anë heq barrën tek nxënësit, por nga ana tjetër humb interesimin për të mësuar.

“E keqja më e madhe në arsim është se shtrohen idetë pa u analizuar mirë me të gjitha palët po tentohet të hyhet në funksion. Mbase ekspertët e lëmisë duhet të shikojnë se cili do të jetë efekti pozitiv, por a ka edhe efekte negative. Mbase edhe do të jetë një heqje e barrës te nxënësit presioni i notave, mirëpo kam frikën se sidomos në klasën 4 dhe 5 nxënësit do ndihen shumë komod dhe do të mësojnë më pak duke e ditur se nuk do të jenë të vlerësuar me nota numerike. Do të ishte mirë që instituti pedagogjik dhe ekspertët e tjerë të merren me këtë çështje”, shtoi Jasharaj.“Edhe në vendet tjera është provuar edhe me notimin pa nota numerike me fjalët që kanë qenë edhe në të kaluarën në një pjesë të lëndëve që i kanë konsideruar si të dyta, mirëpo ajo që është parë në të kaluarën se kur nuk ka nota numerike edhe nxënësi e merr lëndën si jo shumë të rëndësishme. Pra a do të ishte mirë të kemi një angazhim të tillë unë mendoj se duhet analizuar shumë mirë nga ekspertët t’i krahasojnë arritjet por edhe defektet që janë krijuar e pastaj të shkohet me një risi të tillë. E keqja më e madhe është se në arsim bëhen eksperimente të shumta e tek pastaj shihen pasojat dhe tërhiqen edhe ministria”, tha ai.

Po ashtu, edhe drejtori i Institutit “EdGuard”, Rinor Qehaja në një intervistë për Ekonomia Online tha se për këtë nevojitet debat i gjerë i komuniteti të mësimdhënësve dhe nxënësve për të parë përparësitë dhe mangësitë e një vendimi eventual.

“Eliminimi i vlerësimit diferencial për shkollimin fillor paraqet një reformë goxha të thellë që ka ndikim të drejtpërdrejtë dhe në kornizën tonë kurrikulare dhe si i tille për shkak që është i kësaj rëndësie vlerësojmë që para çfarëdo vendimi nevojitet një debat shumë më i gjerë në veçanti me komunitetin e mësimdhënësve dhe nxënësve për t’u parë përparësitë dhe mangësitë e një vendimi të tillë eventual. Dhe vetëm atëherë vlerësoj që mund të mendohet një reformë e tillë”, shtoi Qehaja.

Sipas tij, jo gjithherë praktikat e vendeve perëndimore janë të përshtatshme për arsimin në Kosovë.

“Ne vlerësojmë që është e rëndësishme që jo gjithherë këto praktika të mira të vendeve të tjera mund të jenë të mirë zbatuara edhe në vendin tonë. Pra largimi i vlerësimit diferencial paraqet një praktikë të mirë në vendet perëndimore me një sistem të estabilishmuar të arsimit, mirëpo dyshoj shumë që mund të ketë një zbatim të tillë edhe në Kosovë”, tha Qehaja.

Jasharaj tha se duhet përgatitje e nxënësve, mësimdhënësve dhe prindërve se cilat do të duhet të jenë zëvendësimet në vend të notave numerike.

“Duhet përgatitur nxënësit, mësimdhënësit edhe prindërit paraprakisht se si do të veprojnë dhe cilat do të jenë zëvendësimet në vend të notave numerike që dihen se në shkollat fillore janë 1 deri në 5. Mësimdhënësit dhe prindërit duhet të jenë të përgatitur se cilat do të jenë zëvendësimet sepse po nuk notuam na del se e tërë klasa është e barabartë dhe humb emocioni garues te nxënësit”.

Ndërsa, Qehaja shtoi se eliminimi i vlerësimit diferencial kërkon rishikim të kurrikulës dhe teksteve shkollore. Pra ai thotë se frika më e madhe është që eliminimi i vlerësimit diferencial mund të sjellë një neglizhim nga vetë nxënësit për procesin mësimor dhe një shpërqendrim të tyre drejt arritjes së atyre rezultateve të vetënxënies.

“Eliminimi i vlerësimit diferencial kërkon mbi të gjitha një përshtatje me kornizë kurrikulare pra një rishikim kurrikulës dhe pastaj ngritje të kapacitete të mësimdhënësve por edhe rishikim të teksteve shkollore për t’u përshtatur të gjitha këto me kontekstin e ri pa vlerësim për këtë nivel. Pra është një ndryshim goxha i thellë i infrastrukturës ligjore për përshtatje me këtë reformë të re. Frika jonë është që eliminimi i vlerësimit diferencial mund të sjellë një neglizhim nga vetë nxënësit për procesin mësimor dhe një shpërqendrim të tyre drejt arritjes së atyre rezultateve të vetënxënit. Andaj edhe po thërrasim në vazhdimësi për një debat më të gjerë. Të analizojmë me shumë qetësi të gjitha të mirat dhe të metat e kësaj reforme për të ardhur në zgjidhjen ideale për sistemin tonë arsimor. Arsimi në Kosovë nuk ka më kohë dhe nuk e ka luksin për reforma ad-hoc dhe të improvizuara”.

Ministrja e Arsimi, Arbërie Nagavci, para disa ditëve kishte paralajamëruar për heqjen e notimit për nxënësit nga klasa e parë deri në të pestën, duke thënë se përveç që humb energji mësimdhënësi për notim edhe vet notimi shpesh është joreal.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments