Saturday, November 23, 2024
HomeLajmeKosovaGazetari Halitaj: Pettersen dha garanci për Haradinajn, për Thaçin e të tjerët...

Gazetari Halitaj: Pettersen dha garanci për Haradinajn, për Thaçin e të tjerët s’dha Hoti, s’po japin as Kurti e Osmani

Agron Halitaj, gazetar, ka përmendur se si ish-kryeadministratori i Kosovës, Soren Jessen-Petersen, kishte shprehur gatishmëri për ofrim të garancisë për mbrojtje në liri ish-kryeministri Ramush Haradinaj, i cili po gjykohej për krime lufte në Hagë.

Halitaj ka thënë se një garanci e tillë nuk iu është ofruar ish-krerëve të UÇK’së që po gjykohen aktualisht nga Dhomat e Specializuara për krime lufte as nga Qeveria Hoti, e as nga kryeministri Albin Kurti e presidentja Vjosa Osmani.

“Kur merret si shembull rasti i lirimit të Ramush Haradinajt nga Gjykata e Hagës për t’u mbrojtur në liri, dhe përmendet vetëm garancia e ofruar nga liderët institucional të asaj kohe në Kosovë, më në krye ish-presidentin Ibrahim Rugova, atëherë duhet ditur se kështu i hyhet në hak danezit, Soren-Jessen Petersen. Nuk duhet harruar se asokohe ky burr ishte kryeadministrator i Kosovës, dhe si i tillë ishte autoriteti numër një në vendin tonë. Me të shkuar Haradinaj në Hagë, ai menjëherë pati deklaruar publikisht se ishte i gatshëm të ofronte garanci nëse ish-kryeministrit do t’i ofrohej mundësia që të mbrohet në liri”, thuhet në postimin e tij.

“Pra ishte një i huaj që para kohe qe në gjendje të ofronte garanci për një lider kosovar, aso garancie që në shtetin e pavarur nuk u dha muaj më parë nga ish-kryeministri Hoti, e nuk po jepet as tash nga kryeministri Albin Kurti e presidentja Vjosa Osmani, për  ish-presidentin Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentaret, Jakup Krasniqi e Kadri Veseli dhe deputetin, Rexhep Selimi”, shkroi tutje ai.

Garanci për mbrojtje me liri, sipas ish-kandidatit për deputet nga radhët e PDK’së, Hisen Berisha, ka shprehur edhe presidenti aktual kroat, Zoran Milanoviq.

”Një mik i imi në Kroaci më thotë, se Presidenti kroat është ofruar të jetë garant, i mbrojtjes në liri të këtyre personaliteteve. Dhe jo vetëm njërit nga ta që mund ta ketë më mik – në këtë rast po flas për z. Veseli- por për të gjithë ata që janë atje”, ka deklaruar Berisha.

Gjykata Speciale të premten ka bërë të ditur se ka refuzuar kërkesat e krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit për lirim nga paraburgimi.

Kjo nuk është hera e parë që ish-krerëve të UÇK-së u refuzohet kërkesa për gjykim në liri.

Ata po akuzohen për krime lufte. Aktakuza pretendon se Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi kanë kryer një sërë krimesh që supozohet se janë kryer në disa qendra ndalimi gjatë viteve 1998-1999.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments