Kryeministri Kurti ka disa ditë qo qëndron në SHBA, në vizitën e shumëparalajmëruar nga vjeshta e vitit të kaluar. Megjithatë në drejtim të shefit të qeverisë po shkojnë kritika për nivelin e takimeve, meqë deri tani s’ka takuar ndonjë zyrtar të qeverisë amerikane apo edhe nga Shtëpia e Bardhë. Kjo ka bërë që Kurtit t’i vihen në mborjtje edhe nga zyra e kryekuvendarit, Glauk Konjufca, duke u munduar të arsyetojnë nivelin e vizitave të deritanishme të kryeministrit të Kosovës.
Shefi i stafit të kryekuvendarit Glauk Konjufca, Ilir Kërçeli, ka komentuar vizitat që po i bën kryeministri Albin Kurti në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Kërçeli thotë se kryeministri po e përfaqëson dinjitetshëm potencialin e Kosovës në SHBA, punë këtë që Kërçeli e ka emëruar edhe si “diplomaci ekonomike”.
“Kryeministri Kurti po e përfaqëson dinjitetshëm potencialin e vendit tonë në vizitën të cilën po e realizon në ShBA. Diplomacia ekonomike të cilën për herë të parë kaq direkt dhe kaq të qelluar po e zhvillon kryeministri me kabinetin e tij, është ajo qe na ka munguar këto vitet e fundit”, ka shkruar Kërçeli, raporton Express.
Këshilltari i Konjufcës ka thënë se shumë shpejt do të shihen rezultatet e këtyre vizitave të Kurtit në kompanitë amerikane.
“Vizitat në kompanitë më të njohura në teknologji dhe inovacion të ShBA-së është përfaqësimi më i mirë që mund të na bëhet në këtë kohë kur vendit tonë i duhen vende pune për rininë e cila po largohet nga pamundësia që talentet e tyre t’i kthejnë në vende pune. Sigurisht kjo qeveri i ka përfaqësimet më të mira edhe në diplomaci ushtarake dhe në diplomaci klasike. Shumë shpejt keni për t’i pa rezultatet”, ka shkruar Kërçeli.
Në SHBA aktualisht është duke qëndruar edhe presidentja Vjosa Osmani, e cila deri tani ka takuar këshilltarin kryesor të presidentit të SHBA-së, Jake Sullivan, në kuadër të Konferencës së Mynihut për Siguri që po mbahet në Washington.
Osmani atje ka takuar edhe zyrtarë të tjerë evropianë. Ndërkohë në Amerikë është duke qëndruar edhe kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili ka takuar ish-ambasadorin Frank Wisner dhe pjesë nga komuniteti shqiptar atje.
Kryeministri Kurti deri tani ka vizituar disa biznese të mëdha amerikane, që merren kryesisht me fushën e teknologjisë.