Thursday, November 28, 2024
HomeLajmeKosovaSuper-marrëveshja me të cilën Lipa ia mori Prishtinës 17 hektarë tokë për...

Super-marrëveshja me të cilën Lipa ia mori Prishtinës 17 hektarë tokë për 99 vjet

Përparim Rama dhe Dukagjin Lipa njihen moti dhe duket se nuk e patën të vështirë ta gjenin një marrëveshje për një tokë 17 hektarësh, pronë e Komunës së Prishtinës. Organizatori i festivalit “Sunny Hill” e dërgoi në komunë përfaqësuesin e tij, Alban Kastratin, që të takohet me kryetarin e Prishtinës për ta arritur një super-marrëveshje për të. Kastrati në prill dhe maj u takua katër herë me Ramën dhe gjithçka duket se shkoi siç dëshiroi dhe kërkoi Lipa.

Komuna e Prishtinës është pajtuar që t’ia japë Dukagjin Lipës 17 hektarë tokë në shfrytëzim për 99 vjet. Lipa, 53 vjeç, do të ishte 132 vjeç nëse do ta priste gjallë përfundimin e kësaj kontrate. Megjithatë, s’i mbetet merak asgjë. Babai i këngëtares së njohur, Dua Lipa, ka mundur t’i fusë në marrëveshje një sërë kushtesh për Komunën e Prishtinës, në mënyrë që kjo e fundit t’ia japë tokën për sa të jetë gjallë.

Marrëveshja e nënshkruar më 4 prill u miratua të martën në Kuvendin e Komunës së Prishtinës. Kryetari Përparim Rama tha se “nuk i vyen Prishtina Sunny Hill Festivalit, por Sunny Hill Festivali i vyen Prishtinës”.

Përmbajtja e marrëveshjes, megjithatë vërteton se Dukagjin Lipës i ka vyer shumë kjo kontratë me Prishtinën.

Përveç festivalit “Sunny Hill”, Lipa në tokën e marrë në shfrytëzim mund të zhvillojë edhe aktivitete tjera “që do të jenë në funksion të destinimit kryesor të marrjes në shfrytëzim të pronës”.

“Sunny Hill” obligohet që t’ia lë Komunës së Prishtinës këtë tokë 60 ditë brenda vitit. Por Dukagjin Lipa ka vendosur edhe se si do të duhet ta shfrytëzojë komuna tokën e saj gjatë këtyre ditëve.

Fillimisht, Komuna e Prishtinës obligohet që të mos bëjë sanime në këtë tokë 40 ditë para dhe 20 ditë pas mbajtjes së festivalit “Sunny Hill”.

Organizimet tjera që mund t’i bëjë Komuna e Prishtinës aty për 60 ditë brenda vitit, nuk mund të jenë ngjarje për të cilat paguhet hyrja (biletë). Kësisoj, Lipa ka përcaktuar që Komuna e Prishtinës të mos ketë asnjë qëllim të përfitimit financiar dhe të mos organizojë asnjë festival tjetër që i bën konkurrencë të tijit.

Ngjarjet që Lipa e lejon Komunën e Prishtinës t’i organizojë në tokën që i është dhënë, nuk guxojnë ta kalojnë kapacitetin prej 3,000 pjesëmarrësve.

Gjithashtu, Lipa lejon që aty Komuna të organizojë vetëm ngjarje të muzikës klasike, jazz-it, Filarmonisë së Kosovës…

Në rast se organizimet komunale do të jenë fitimprurëse, Komuna e Prishtinës mund t’i marrë veç 30% të të hyrave. 70% e profitit do t’i takojë Lipës.

Në një pjesë të marrëveshjes, duket sikur Lipa po ia jep pronën e tij në shfrytëzim Komunës.

“Para çdo përdorimi të pronës, Komuna e Prishtinës si palë që planifikon mbajtjen e evenimentit duhet të kontaktojë me Sunny Hill që të bëjë pranimin e pronës dhe gjendjes në të cilën e pranon pronën. Të gjitha dëmtimet e infrastrukturës së parkut duhet të kompensohen nga Komuna e Prishtinës, si palë që e merr në shfrytëzim pronën”, thuhet në një pikë.

Ndërsa komuna obligohet që t’ia paguajë Lipës dëmtimet e mundshme në këtë tokë, marrëveshja nuk e specifikon të kundërtën, që edhe Lipa t’ia kompensojë komunës dëmtimet infrastrukturore që mund t’ia sjellin tokës organizimet e tij.

Për “Sunny Hill”, specifikohet vetëm se “duhet t’i përmbahet të gjitha normave ligjore që garantojnë çështjet mjedisore”.

Më tej, thuhet se “Varësisht natyrës së evenimentit, Sunny Hill mund të kërkojë garanci për sigurimin e investimit brenda pronës së marrë në shfrytëzim”.

Për aktivitetet tjera që lidhen me festivalin, Komuna e Prishtinës sipas marrëveshjes obligohet që t’ia lëshojë Lipës çdo leje të nevojshme.

“Komuna e Prishtinës angazhohet që brenda afateve dhe procedurave të përcaktuara ligjore të pajisë me të gjitha lejet e nevojshme komunale që Marrësi në Shfrytëzim do të aplikojë dhe që janë të domosdoshme për funksionalitetin e hapësirës per qëllimet e festivalit Sunny Hill. Këto leje lëshohen në pajtim me ligjin, dokumentet rregulluese dhe procedurat”, thuhet ndër tjerash në marrëveshje.

Diku marrëveshja përmban edhe disa obligime për Lipën. Ai s’ka të drejtë ta bartë të drejtën e shfrytëzimit të pronave dhe ta vendosë në hipotekë tokën.

Ai duhet që dy herë në vit të raportojë me shkrim mbi realizimin e planit investiv, si dhe për aktivitetet e organizuara kulturore, në mënyrë që t’ia arsyetojë komunës mbajtjen në shfrytëzim të pronës komunale.

“Sunny Hill” obligohet që të angazhohet me organet kompetente që të mos lejojë përdorimin e substancave narkotike dhe substancave tjera të ndaluara me ligj, në festival.

Po ashtu, “Sunny Hill nuk ka të drejtë që të ndërtojë objekte “jashtë planit të miratuar të biznesit dhe nuk ka të drejtë ta ndryshojë qëllimin e destinimit të pronës në shfrytëzim”.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, tha në mbledhjen e Kuvendit Komunal se “17 hektarë faktikisht janë pak nëse kemi vizion për ngritje të festivalit në nivele botërore”.

Kjo marrëveshje, Rama tha se u bë “për shkak të qytetarëve të Prishtinës”.

“Festivali ka sjellë 8-9 milionë euro të hyra për kryeqytetin. Kjo krijon mundësi të punësimit, dmth krijon ekonomi”, tha ai.

Rama theksoi se ky festival “mundet me shku në Tiranë, mundet me shku në Shkodër, mundet me shku faktikisht ku të ka qejf”, prandaj tha se e nënshkroi këtë marrëveshje të vlefshme 99 vjet.

Marrëveshja tani duhet të procedohet në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal për vlerësim të ligjshmërisë

 

 

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments