Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq ka folur mbrëmë rreth dy orë në një konferencë për media rreth zhvillimeve në vendin e tij. Në disa raste ai iu është referuar dialogut me Kosovën dhe takimit të Berlinit që u ndërmjetësua nga emisari europian Miroslav Lajcak e ku morën pjesë edhe dy përfaqësues të qeverisë gjermane. Pas takimit, Kurti tha se Vuçiq ka manifestuar sjellje të çrregullta dhe se nuk e ka ndryshuar qasjen e Millosheviqit.
Mbrëmë Vuçiq dha versionin e tij për atmosferën brenda takimit duke akuzuar palët kosovare për bllokim të një deklarate të përbashkët.
Sipas tij, Kurti ka kërkuar që të hiqen fjali të caktuara nga teksti duke kërkuar që emri i Kosovës të shkruhet para Serbisë. Madje sipas Vuçiq i cili njihet për qasjen propagandistike për opinionin serb, në një moment në takim pala kosovare e ka quajtur Putin i vogël.
“Sa i përket dialogut me Prishtinën, ai dialog pothuajse nuk ekziston. Ne u qasëm ne mënyrë serioze në Berlin, por kjo ishte vetëm një tentim sepse zotërinjtë nga Prishtina nuk duan këtë dialog. Refuzuan deri në pakuptimësi një deklaratë të përbashkët, që do duhej të ishte e natyrës protokollare, edhe atë e refuzuan. Mos t’ju them këtu që thoshin pse shkruan Beograd dhe Prishtinë ose Serbi dhe Kosovë e pse jo Prishtinë dhe Beogradi ose Kosovë dhe Serbi,” ka thënë shefi i shtetit serb.
Tutje, në konferencë e prezantoi vetën si një politikan që pranon kompromisin.
“Unë iu thash s’ka problem, shkruani çfarë të doni. Pastaj thanë hiqeni këtë fjali, unë thash s’ka problem hiqeni edhe atë fjali, duke ditur se nuk do ta pranojnë . Pastaj thanë jo, jo nuk mund ta shkruani se Vuçiq angazhohet për paqe pasi Putini i vogël do luftë. Unë iu thashë futeni në tekst edhe këtë, fusni çka të doni në tekst, vetëm të ketë deklaratë. Atëherë thanë se s’duam asgjë. Vetëm ta keni parasysh se me kë kemi punë” ka thënë Vuçiq.
“Krejt politika po sillet në atë që dikush po do ta luaj rolin e Zelenskiyt dhe do famë ndërkombëtare. Për këtë arsye keni mundur të lexoni në media të huaja se si Serbia po e cenon dikë po e rrezikon dikë se si Serbia po planifikon t’i sulmojë popujt liridashës e perëndimorë natyrisht këto janë gënjeshtra brutale” ka shtuar ai.