Kryeministri Kurti e falënderoi ministren Lambertch për vizitën, si edhe për mikpritjen e ngrohtë që i bëri kancelari gjerman Olaf Scholz në Gjermani. Ai i vlerësoi takimet e frytshme dhe shumë miqësore, ndërsa potencoi rëndësinë e nismës së kancelarit për ringjalljen e Procesit të Berlinit.
Duke theksuar se e ardhmja e Kosovës është në NATO dhe në Bashkimin Evropian, ai tha se për përshpejtimin e integrimit të Kosovës, roli i Gjermanisë është qendror. Kryeministri në veçanti kërkoi mbështetje për pranimin e Kosovës në Programin e Partneritetit për Paqe të NATO-s dhe në Këshillin e Evropës.
Duke vlerësuar marrëdhëniet e shkëlqyera, ai shtoi se Kosova është partner i qëndrueshëm për Gjermaninë dhe Bashkimin Evropian, ndërsa veçoi sanksionet kundër Rusisë, gatishmërinë për të pranuar 20 gazetarë ukrainas dhe gatishmërinë për strehim të deri 5.000 refugjatëve nga Ukraina.
Lidhur me procesin e dialogut me Serbinë, kryeministri Kurti ritheksoi se njohja reciproke duhet të jetë në qendër të procesit e jo në fund të tij. Ai tha se Serbia duhet të demokratizohet dhe të ballafaqohet me të kaluarën, si dhe të distancohet nga Milosheviqi dhe Putini.
Ministrja Lambertch theksoi se liria dhe integriteti territorial janë shumë të rëndësishme dhe se Gjermania e mbështetë fuqishëm perspektivën evropiane të Kosovës.
Po ashtu tha se e mbështetë edhe dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë duke zgjidhur konkretisht çështjet e raporteve bilaterale.