Mediat gjermane i kanë dhënë hapësirë këtyre takimeve, duke vendosur theksin te kërkesa e Scholz për marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë në mënyrë që të mos lejohet ndikimi i Rusisë në rajon.
Televizioni publik i Gjermanisë ARD, ka raportuar se Scholz dëshiron që të ndihmojë Ballkanin Perëndimor për t’u integruar në BE.
“Kancelari Olaf Scholz do që të sigurojë stabilitetin e Ballkanit Perëndimor dhe të punojë për pranimin e shpejtë të këtij rajoni në BE: “Të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor duhet t’i përkasin Bashkimit Evropian”, citon ARD fjalimin e Scholz pas takimit me Kurtin, përcjell Telegrafi.
Media tjetër e njohur ndërkombëtare Euronews në gjuhën gjermane ka raportuar për takimet e kancelarit të Gjermanisë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Euronews raporton se ndër bisedimet kryesore u përqendruan në luftën në Ukrainë. Por dialogu sipas tyre edhe dialogu për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi ka marrë gjithashtu një shtysë të re.
“Scholz theksoi në konferencë se vendi i vogël që ka kaluar një luftë në një kohë jo shumë të largët ka marrë qëndrim të qartë mbi të gjitha çështjet ndërkombëtare, dhe pozicionimin shumë të hershëm në krah të Bashkimit Evropian. Kosova mbështet plotësisht sanksionet kundër Rusisë dhe kjo meriton njohje të madhe”, raportin tutje Euronews.
Mediumi tjetër gjerman Deutsche Welle duke pasqyruar takimet e Scholz-it me Kurtin e Vuçiqin theksin e ka vendosur te integrimi i rajonit në BE.
“Scholz tha se në sfondin e ngjarjeve në Ukrainë është e rëndësishme që Kosova dhe Serbia ta zgjidhin gradualisht konfliktin mes tyre. Në këtë mënyrë ato do të jepnin një kontribut për paqen dhe sigurinë jo vetëm në Ballkan por në të gjithë Evropën”, raporton Deutsche Welle.