Një 26 vjeçar nga fshati Greikoc i Suharekës ka vdekur. Pranë shtëpisë së tij është gjetur edhe një armë AK – 47.
Lajmin e ka bërë të ditur zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Prizrenit, Vesel Gashi.
Gashi tha se rreth orës 15:05 policia është njoftuar nga Qendra Emergjente në Suharekë se në orën 15:05 aty është pranuar një person me lëndime të rënda trupore të cilat dyshohet se janë shkaktuar nga arma e zjarrit.
Mjekët nuk kanë arritur ta shpëtojnë dhe kanë konfirmuar vdekjen e tij.
“Pas marrjes së informatës, njësitë e Policisë kanë dalë në vendin e ngjarjes, në fshatin Greikoc të Suharekës dhe në një objekt përcjellës, 20 deri në 30 metra larg shtëpisë së viktimës, është gjetur një armë AK-47 e cila dyshohet se është përdorur në këtë rast. Në vendin e ngjarjes ka dalë edhe prokurori i shtetit dhe rasti është duke u trajtuar si “Vdekje e dyshimtë””, ka deklaruar Gashi.
Me urdhër të prokurorit trupi i pajetë i viktimës është dërguar për procedura të mëtutjeshme në Institutin e Mjekësisë Ligjore.