Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti priti sot në vizitë miqësore ish-deputetin e Parlamentit Evropian, Knut Fleckenstein. Ish-eurodeputeti është anëtar i Partisë Socialdemokrate të Gjermanisë dhe mbështetës i kahmotshëm i kryeministrit Kurti. Në takimin që u mbajt në Ditën Ndërkombëtare të Punës ata trajtuan shumë tema, me theks të veçantë socialdemokracinë.
Kryeministri Kurti e njoftoi z.Fleckenstein për vizitën e tij në Bruksel dhe takimet e shumta që pati atje me zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian, komisionerë dhe eurodeputetë.
Ish-eurodeputeti Fleckenstein e përgëzoi kryeministrin Kurti për vizitën e suksesshme dhe i dëshiroi sukses në realizimin e planeve për reforma në shumë fusha, që do t’i hapnin rrugën zhvillimit ekonomik dhe integrimit evropian të vendit.