Sopi është dëshmitari i pestë i mbrojtjes së Salih Mustafës në gjykimin që po zhvillohet ndaj tij në Hagë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Fillimisht, dëshmitari Gani Sopi, duke u përgjigjur në pyetjet e avokatit Betim Shala, ka deklaruar se i kujtohet që i ka dhënë deklaratë mbrojtjes dhe prokurorisë.
“Te prokurori kam dhënë deklaratë për plagosjen time dhe çfarë afërsie kam unë me Salih Mustafën, kryesisht, tjerat kanë qenë pyetje të bëra edhe te avokati mbrojtës”, tha dëshmitari Sopi.
Ai deklaroi se Salih Mustafën e njeh dhe se ka lidhje familjare me të që nga paslufta, konkretisht viti 2002, ku vajza e vëllait të tij është bashkëshortja e tij.
“Përveç që e kam pas bashkëluftëtar ajo kuptohet dhe shok, mik”, tha ai.
Dëshmitari deklaroi se ka jetuar në Prishtinë gjatë periudhës janar- qershor 1999, ku aty jeton që nga vitet ’72 e ’73.
Gjatë periudhës janar-qershor 1999, ai tha se ka ndodhur që të lëshojnë Prishtinën.
“Kjo ka ndodh, e kemi dhënë një datë, por jam ndalë e mendu atë periudhë, por kishte qenë fundi i vitit 1999. Kemi shku në vendlindjen time, sepse përveç Prishtinës, e kam vendlindjen në fshatin Butovc”, ka thënë ai.
Ky fshat, ai deklaroi se është përafërsisht është 7 km larg Prishtinës. Më pas, atij iu tregua harta e qytetit të Prishtinës, për të cilën ai tha se ka mundësi shumë gjëra t’i shpjegojë përmes hartës.
“Nga Butovci i Ulët, ky Butovci i rrethuar me ngjyrë të kuqe, sa larg është Prishtina”, pyeti avokati Shala, e dëshmitari tha se është 7 km, kurse për fshatin Mramor tha se është në distancë prej 3 apo 4 km.
Kurse, nga Butovci i Ulët tha se fshati Zllash është larg përafërsisht diku 13 -14 km në vijë tokësore.
Ai u pyet se në kohë lufte sa kohë do të merrte rruga në këmbë nga Prishtina deri në Butovc të Ulët.
“Në kushte normale, i ri kur kam qenë ka mujt me shku 1 orë, tash 2 apo 3 orë”, ka thënë ai.
Por, sipas tij, në kohë lufte ka mundur të jetë më shumë, për shkak të pozicioneve të armikut dhe rrethanat kanë qenë të tilla që ka qenë vështirë me lëviz.
Dëshmitari Sopi ka deklaruar se aktiviteti i tij ka qenë fillimisht politik dhe nga viti ’90 ka qenë një ndër themeluesit e aktivitetit politik të LDK-së, ku ka qenë me pozitë të anëtarit të kryesisë, por gjithashtu nga kjo periudhë deri në periudhën e mbarimit të luftës, ai tha se ka udhëhequr komisionin e informimit.
Ai tha se informacionet i janë dhënë të natyrave të ndryshme.
“Në Prishtinë kishte vështirësi të mëdha për shkak se kishte zhvendosje nga pjesë të ndryshme të Kosovës dhe ishin vendosur në pjesën ku ne vepronim. Aktivistat tonë kanë qenë të angazhuar që të gjithëve t’iu ndihmojnë në strehim, vendosje, barna, ushqim dhe kanë pas për obligim të përcjellin të gjitha vendet, pikat ku në atë kohë ishin të pozicionuara forcat serbe, militare dhe paramilitare serbe. Me kohë më kanë informuar”, tha ai.
Avokati Shala e ka pyetur se a i kujtohet në cilën datë të marsit kanë filluar bombardimet e NATO-s, e dëshmitari tha se është datë historike që nuk do të harrohet kurrë nga populli i tij, 24 marsi i vitit 1999.
“Diku ka ora 8:00 të mbrëmjes, kanë filluar bombardimet dhe ajo datë e ditë, nuk do të harrohet kurrë nga populli, por as nga unë”, tha dëshmitari.
Sopi deklaroi se ai e ka dhënë si datë 28 marsin kur është larguar nga Prishtina, por tha se ishte fundi i marsit.
“Ne i kemi dy festa, Bajramin e Madh dhe të Vogël, por kishte diferenca mes bajramit të madh e vogël, 2 muaj e 10 ditë. Bajrami i Madh kishte qenë më 19 janar, me 2 muaj diferencë i bjen fundi i marsit 1999”, tha ai.
Tutje tha se policia e paramilitarët serbë bënin dhunë të paparë dhe nuk kishte rrugë tjetër përveç të organizohej populli dhe atë pjesë që jetonin edhe ata dhe të orientohen populli nga Butovci.
“Mendonim se ndoshta do të ishte një siguri pak më e madhe dhe kjo ishte arsyeja. Ishte kohë e ultimatumit që ose të lëshohet qyteti dhe shtëpitë ose veç fillun dhuna dhe represarja e paparë ndaj popullatës tonë atje”, deklaroi Sopi.
Ai tha se është plagosur më 24 mars 1999 në Prishtinë, por se për këtë temë tha se nuk do të kishte dëshirë të komentojë më shumë pasi ka përjetimet e mëdha dhe është mirë që ka mundur të jetë në jetë dhe të dëshmojë para trupit gjykues.
Dëshmitari tha se kanë qenë diku përafërsisht mbi 10 mijë vetë, të të gjitha moshave, gjinive, fëmijë, gra, pleq e të sëmurë që i kanë nxjerrë nga Prishtina.
Ndërkaq, shokët që kanë organizuar këtë lëvizje të popullatës tha se kanë qenë pjesa dërrmuese, me të cilët kanë punuar më herët dhe kanë qenë edhe në veprimtari politike të LDK-së, por edhe organizimin ushtarak.
Ai tha se kohën kur kanë pasur zhvendosjen ka ndihmuar shumë edhe Salih Mustafa, që kishte thënë t’i ndihmohet popullatës, t’iu bëhet strehimit, sigurohet ushqimi e barnat.
Në atë kohë, dëshmitari Sopi tha se Salih Mustafa ka qenë në cilësinë e vullnetarit, qytetarit e veprimtarit pasi janë njohur më herët qysh nga koha e daljes nga burgu.
“Vëllai im ka pas raporte të mira dhe e ka njoftë, e ka pas nxënës”, deklaroi Sopi. Dëshmitari tha se ka qenë ushtar i UÇK-së nga janari i vitit 1998 dhe është shumë krenar për këtë.
Sopi tha se pjesën e mëhershme ka vepruar në Prishtinë, kurse tjetrën në Butovc dhe rrethinë deri në Mramor.
“Në Butovc, pasi është afër shtëpive, kryesisht popullata pati lëviz në qytet dhe aty në ato lagje që i kemi shtëpitë tona të prindërve të mi dhe kushërinjve, i kemi vendos shumicën nëpër shtëpia, kanë qenë do stalla të bagëtisë pasi nuk ka pas mundësi të zgjidhet dhe një pjesë është vendosur nëpër do hamara që i themi ne. Ka pas diçka që atë kohë kanë lëviz edhe në drejtim të Mramorit”, tha dëshmitari, kurse shtoi se ai me gjithë familjen ka qenë në Butovc.
Ai tha se nuk i ka interesuar fort në cilën njësi ka qenë në UÇK pasi organizimin e kanë bërë t’i ndihmojnë popullit.
“Në atë fazë s’jam marrë fort me to, nuk më kanë bo përshtypje ato gjana”, tha dëshmitari, kurse shtoi se e kanë pasur udhëheqës, të cilin e kanë caktuar Mustafë Sopin, që është vëllai i tij, që ka pasur pozitën e përgjegjësit të të gjithë shokëve edhe në qytet, por edhe në Butovc.
Dëshmitari u pyet nëse sa ka qenë në Butovc e ka takuar Salih Mustafën, gjë të cilën e konfirmoi.
“Muaji prill është bukur i rëndë për mu, por edhe gjithë shqiptarët dhe të gjithë në atë zonë të Gollakut. Është e vërtetë që e kam takuar në fillim të prillit, në javët e para të prillit Salih Mustafën në Butovc”, deklaroi Sopi.
Sipas tij, arsyeja e takimit ka qenë se ka qenë Bajram dhe se Mustafa ka qenë i lidhur me vëllanë e tij që ka shkuar ta vizitojë në Butovc dhe për të parë popullatën se si janë vendosur, si janë organizuar, strehuar dhe si po grumbullohet ushqimi e shumë çështje të tjera.
Ai tha se ka qenë e vështirë bartja nga Prishtina, por disi bashkëluftëtarët kanë hyrë në qytet me 100 rreziqe dhe i kanë marrë e sjellë në fshat ushqimet e barnat.
“Për mos me u marrë me data se munden me qenë të lëvizshme për shkak të rrethanave dhe 23 vjet, e di që ka qenë java e parë dhe e dytë e muajit prill. Jemi pa, jemi taku, por ky ka qenë kontakt me profën, i cili ka koordinu. Kam nejt edhe unë vet, kemi bisedu rreth situatën dhe ngjarjes që ka qenë brenda edhe me situatën civile”, tha ai, duke ju referuar Salih Mustafës.
Dëshmitari Sopi deklaroi se pavarësisht që ka qenë i plagosur, ka dalë në terren në pika vëzhguese, ku disa herë ka dalë me Salih Mustafën e Mustafë Sopin, por edhe të tjerë.
“Këto takime kanë ndodhë edhe në pjesë të ditës, por edhe mbrëmjes për shkak se patjetër është dashtë me përcjell terrenin, edhe në mramje”, tha ai.
Kurse, tha se atë kohë nuk e ka ditur se cilës njësi i ka takuar Salih Mustafa. Ndërkaq, tha se sa e mban mend, Salih Mustafa ka qenë më shumë i veshur me rroba civile, por se sa i kujtohet që xhaketën e ka pasur si të gjelbër, gjysmë të ushtrisë.
“Është dashtë me pas kujdes edhe na vet nuk e kemi bart, edhe s’kemi pas. Kemi pas shumë civilë, u dashtë me pas konsideratë fëmijët, pleqtë, gratë sepse u kriju traumë edhe armatimin shpesh s’e kemi tregu, e kemi masku, për hir të civilëve që kemi pas në mesin tonë”, tha Sopi.
Dëshmitari tha se ka mundur të ketë pasur Salih Mustafa armatim të lehtë, por edhe ai është maskuar për shkak të civilëve e popullatës për të mos rënë në sy shumë.
“Gjatë takimeve me Salih Mustafën, a keni organizuar ndonjë lëvizje të pjesëtarëve të grupit të juaj për shkuarjen në Prishtinë dhe sigurimin e ushqimit, veshmbathjes apo medikamenteve për popullatën”, pyeti avokati Shala.
Dëshmitari tha se nuk ka pasur mundësi të lëviz shumë për shkak të plagosjes, por se edhe lëvizjet i ka bërë të kontrolluara. Kurse, tha se me Salih Mustafën e shokë kanë dalë për të bërë vëzhgime të lëvizjeve të armikut.
Ai tha se kur ka qenë në Butovc, Mustafa fillimisht ka qëndruar në shtëpinë e tyre, të prindërve dhe vëllait të tij, Mustafë Sopit, e pastaj ka bërë lëvizje.
“Çdo lëvizje e kam përcjell dhe e kam ditë që ka qenë aty pari”, tha ai, si dhe konfirmoi sërish se Mustafa ka qëndruar në të njëjtën shtëpi sikurse ai në fillim.
Dëshmitari tha se fatmirësisht gjatë kësaj periudhe nuk është sulmuar Butovci nga forcat serbe.
“Familja ime dhe një pjesë e familjeve të bashkëluftëtarëve janë kthyer pak më herët, diku më 18 prill 1999 se situata fillonte me u vështirësu, por edhe gjërat ushqimore me u harxhu. Ne me padashje i kthyem familjet në rrezikun më të madh në Prishtinë. Unë personalisht jam kthy më 13 qershor, pas hyrjes së NATO-s në Prishtinë”, tha ai.
Sopi ka thënë se në atë kohë nuk ka pasur siguri në asnjë vend në Kosovë.
“Por, ai vend për shkak të vendlindjes që e kam pas, që e kam njoftë më mirë, një siguri më e vogël se siguri nuk ka pasur kurrkund ”, tha ai.
Dëshmitari tha se një herë gjatë qëndrimit në Butovc ka lëvizur deri në Mramor dhe hera të tjera jo, pasi ndjente përgjegjësi meqenëse ishte vendas dhe e njihte terrenin në Butovc.
Sipas tij, në Mramor ka shkuar pasi kishte një ftohje dhe ka bërë kontroll, ku i kanë dhënë një injeksion, ku e gjithë kjo ka zgjatur dy orë apo dy orë e gjysmë dhe është kthyer sërish në Butovc.
Sa i përket festës së Bajramit, dëshmitari deklaroi se Bajrami i Madh atë kohë ishte më 19 janar, por me librat fetar ishte që dy muaj e 10 ditë prapa ishte Bajrami i Vogël dhe me kalendar del që ka qenë fundi i marsit 1999.
“Bajrami i Madh i ka dy apo tre ditë, kurse Bajrami i Vogël 5, është më gjatë”, tha ai.
Ai tha se festa është festuar e pritur me aq sa ka pasur mundësi të bëhet ndonjë drekë, pasi kanë qenë në rrethana shumë të vështira e tha se ke mundur edhe pas pesë ditësh t’i takosh njerëzit e t’ua urosh festën e Barajmit.
Avokati Shala e ka pyetur dëshmitarin se në ato pjesë ku kanë qenë të pozicionuara forcat serbe, a ka pasur edhe pika kontrolli të tyre.
Dëshmitari e konfirmoi këtë dhe tha se kush ka hyrë në ato pika ka qenë rrezik potencial pasi serbët nuk kanë këqyr hiç.
Sipas tij, përafërsisht 10 pika kanë qenë në atë zonë, e se mund të kenë qenë edhe më shumë, por për 10 është i sigurt.
“Fatmirësisht kur kemi dalë nga Prishtina kanë qenë kryesisht të pozicionum në pjesën më afër Prishtinës dhe atë korridor që e kemi shfrytëzu na e kemi njohur atë terren. Ashtu i plagosur kam dalë nga Prishtina me popullatën për në Butovc. Ka qenë rrezik, por pasi e kemi njohur terrenin mirë kemi shku”, tha ai, e shtoi se më pas janë pozicionuar serbët në çdo pikë.
Gjatë kohës kur ka qëndruar në Butovc, ai tha se fatkeqësisht në regjionin e Gollakut ka pasur ofensivë nga serbët dhe ka pasur edhe dhunë e krim.
“Muaji prill tregova që ka qenë më i rëndi në jetën time, për shkak të ndodhive që i përshkrova, por ka pas edhe raste ku civilët kanë pësu keq, për shembull Llukarin, Makovcin ku popullata civile ka ra në dorën e tyne e aty ka ndodh masakër, gjenocid”, tha dëshmitari Sopi.
Tutje, dëshmitari tha se në vëzhgim nuk kanë dalë vetëm në një pikë, por edhe tjera, ku kanë vëzhguar forcat serbe, paramilitare e serbe, që kanë qenë pozicionuar në Butovcin e Lartë, ku kanë vëzhguar edhe me Salih Mustafën e Mustafë Sopin, por edhe përmendi raste, ku kanë qenë persona të tjerë.
Ndërkaq, tha se gjatë kohës kur kanë qenë në vëzhgim, nuk kanë ndaluar ndonjë qytetar që ka kaluar në atë pjesë.