Deri më tani janë rreth 11 mijë serbë që kanë kaluar kufirin Kosovë-Serbi, në disa pika kufitare të vendit. Policia e Kosovës vlerëson se situata është e qetë dhe stabile.
Gjatë ditës policia tha se në disa pika kufitare që lidhin Republikën e Kosovës me Serbinë, janë krijuar kolona dhe pritje.
“Pritjet janë shkaktuar në dalje nga Kosova drejt Serbisë në dy pikat kufitare Jarinje dhe Bërnjak, si pasojë e qarkullimit të shtuar të automjeteve në këto dy pika kufitare”, u tha në njoftimin e policisë.
Serbia po mban sot zgjedhjet për President, parlament dhe për 14 qeverisje lokale, përfshirë edhe Beogradin.
Qeveria e Kosovës nuk ka lejuar mbajtjen e zgjedhjeve serbe në Kosovë. Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se marrëveshja për mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë duhet të jetë me anë të shkëmbimit të letrave ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Serbisë.