Kreu i Konsullatës së Përgjithshme në Nju Jork, Frymëzim Isufaj, ka njoftuar se është shkarkuar nga kjo pozitë javën e kaluar dhe se i është kërkuar që brenda 10 ditësh të largohet nga misioni.
Ai e ka quajtur vendimin për shkarkimin e tij arbitrar, jo ligjor dhe tërësisht politik.
Sipas Isufajt, atij po duan që t’ia pamundësojnë edhe vazhdimin e marrëdhënies së punës si diplomat karriere.
“Dëshiroj t’ju njoftoj se rrugëtimi im në krye të Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës ne Nju Jork u ndërpre javën e kaluar nga një vendim arbitrar, jo ligjor dhe tërësisht politik, ku në kundërshtim me çdo praktikë të deritashme më është kërkuar që brenda 10 ditësh të largohem nga misioni.
Përveç ndërprerjes së parakohshme dhe të pa arsyetuar të mandatit tim të rregullt, përmes vendimeve të paligjshme, dëshirojnë që të pamundësojnë edhe vazhdimin e marrëdhënies së punës si diplomat karriere në institucionin në të cilin kam shërbyer afërsisht në 10 vitet e fundit”, ka shkruar Isufaj.