Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se pushteti i udhëhequr nga Albin Kurti, po përpiqet ta pengojë iniciativën e PDK-së për themelimin e Komisionit Hetimor Parlamentar për të nxjerrë në pah të gjithë ecurinë e shpenzimit të mbi 100 milionë eurove të destinuara për furnizim me energji elektrike gjatë krizës me të cilën u ballafaquan qytetarët e Kosovës gjatë katër muajve që lamë pas.
Por, sipas kreut të PDK-së, kjo nuk është vetëm përpjekje për të shmangur transparencën si parim, por edhe përpjekje direkte për të fshehur të vërtetën dhe për të shmangur transparencën si obligim.
Qytetarët e Kosovës, të cilëve ZRRE-ja me bekimin e qeverisë Kurti ua ka rritur faturat e energjisë elektrike, kanë të drejtë të kuptojnë dhe duhet ta kuptojnë se në cilat linja, konkretisht për çfarë dhe se si janë shpenzuar mbi 100 milion euro nga taksat e tyre. Këtë të drejtë, pushteti mund të jetë përpjekur t’ua mohojë dje, por ne s’do ta lejojmë një padrejtësi të tillë”, ka thënë Krasniqi nëpërmjet një shkrimi në faqen e tij në Facebook.
Ai ka thënë se Grupi Parlamentar i PDK-së, së bashku me deputetë të tjerë të opozitës, do të mbledhin nënshkrimet për themelimin e Komisionit Hetimor lidhur me këtë çështje.
Sipas Krasniqit, themelimi i këtij Komisioni Parlamentar, pas refuzimit të mazhorancës, konfirmon se nuk kemi të bëjmë vetëm me dyshime të bazuara, por me të vërteta që duhet t’i dinë qytetarët, e të cilat pushteti po tenton t’i evitojë.
“Transparenca është karakteri i një qeverisjeje. Një pushtet që proklamon veten si pushtet i drejtë, përse do të duhej të frikësohej nga transparenca?”, tha Krasniqi.