Kombëtarja e Kosovës nesër do ta zhvillojë miqësoren e dytë të muajit mars kundër Zvicrës. Kjo ndeshje zhvillohet në stadiumin “Letzigrund” në Cyrih në orën 18:00 dhe pritet të jetë një festë futbolli, duke pasur parasysh numrin e madh të bashkëatdhetarëve tanë të cilët do të jenë në stadium.
Pasditen e sotme Dardanët e kanë zhvilluar stërvitjen e fundit para kësaj ndeshje, teksa të gjithë futbollistët janë në formë dhe të gatshëm prë ta dhënë maksimumin në duelin e nesërm, që po ashtu është i veçantë edhe për shkak se në ekipin zviceranë luajnë disa futbollistë me prejardhje nga Kosova.
Në prag të kësaj miqësoreje, përzgjedhësi Alain Giresse dhe futbollisti Florent Hadërgjonaj janë paraqitur në konferencë për media, ku kanë dhënë opinionet e tyre lidhur me këtë përballje. Giresse e ka vlerësuar Zvicrën si njërën nga pesë kombëtaret më të mira evropiane, por ka thënë se i ka marrë të gjitha masat me ekipin që t’i bëjë ballë kundërshtarit të nesërm. Ai po ashtu ka thënë se kjo miqësore ka përbrenda emocionet e saj, duke pasur parasysh se disa futbollistë që luajnë te Kosova janë lindur e rritur në Zvicër, derisa disa lojtarë të Zvicrës kanë origjinë nga Kosova.
Ndërkaq, mbrojtësi i majtë i Dardanëve, Florent Hadërgjonaj ka thënë se në këtë ndeshje duan t’i tregojnë vlerat dhe formën e mirë. Ai ka thënë se Kosova ka kapacitet për të fituar edhe ndaj Zvicrës, derisa e ka vlerësuar këtë ndeshje si speciale. Hadërgjonaj ka thënë se ndihet i lumtur që pas dy vjetësh të vështira pa tifozë për shkak të pandemisë, tani do ta kenë përkrahjen e madhe nga bashkëatdhetarët në këtë duel, gjë e cila do t’i motivojë edhe më shumë për rezultat pozitiv.