Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, i ka paraqitur tri propozime Qeverisë Kurti për krizën ekonomike me të cilën po ballafaqohet vendi.
Ai në seancën e sotme plenare tha se ekzekutivi duhet të miratojë një pako të re ekonomike.
Hoti para deputetëve deklaroi se masa e parë është indeksimi i gjitha skemave pensionale dhe sociale, subvencionimi i bujqësisë dhe ngritja e pagës minimale.
“Ne kemi tri propozime për konsiderim nga ana e qeverisë. Masa e parë dhe menjëhershme është të bëhet indeksimi i gjitha skemave pensionale dhe ndihmave sociale vetëm për normë ne inflacionit vetëm për të ruajtur fuqinë blerëse të pensioneve dhe ndihmave sociale të pandryshueshme, së paku për të mbulu rritjen e çmimeve të produkteve bazike. Kjo masë i prek gjithë qytetarët mbi moshën 65 vjeçare dhe të tjerë që përfitojnë nga skemat e ndryshme të mbështetjes sociale”.
“Masa e dytë është subvencionet në bujqësi, unë e kam ngritur edhe një herë tjetër këtë çështje. Të gjithë indikatorët tregojnë se rritja e imputeve bujqësore shkon në 20-30 deri 50 përqind. Ne kemi dal në teren dhe kemi verifikuar këtë çështje. Ftoj qeverinë të konsiderojë rritjen e menjëhershme të subvencioneve në bujqësi së paku sa janë rritur çmimet e imputeve bujqësore. Kjo masë e mbulon një të tretën e familjeve në nivel vendi që sigurojnë të ardhura përmes tregut ose produkteve të konsumit vetanak në nivel të Kosovës. Masa e tret që duhet trajtohet me shumë kujdes është t’i kthehemi debatit për pagën minimale. Janë zhvilluar negociatat ka mos pajtime por duhet të gjetur gjuha e përbashkët për të rritur sa më parë pagën minimale”, tha ai.
Sipas tij, është e pashmangshme miratimi i një pako mbështetëse ndaj qytetarëve, sikur në kohën e pandemisë COVID 19.
“Ne vlerësojmë se është e pashmangshme të dizajnojnë pako të mbështetjes së qytetarëve, ndoshta të natyrës si në kohën e pandemisë. Pasi kriza ekonomike dhe sociale gati është e atyre përmasave, vonesat në këtë drejtim do të shtojnë barrën e familjeve dhe qeveria do të detyrohet të merr këto masa. Prandaj është më mirë më herët të dizajnohet dhe të merren këto masa”, shtoi Hoti.