Ish-ministri i Kosovës për Kthim dhe Komunitete, Aleksandar Jabllanoviq, i cili është edhe kryetar i Partisë Serbe të Kosovës, ka kritikuar mbajtjen e protestës së bashkëkombësve të tij në disa komuna të Kosovës.
Ai tha se Lista Serbe duhet të mbahet përgjegjëse pse dështoi të merret vesh me kryeministrin Albin Kurti, në qeverinë e të cilit bën pjesë, për zgjedhjet serbe të 3 prillit.
Protesta kundër çfarë dhe pse? Tani qytetarët duhet të mbrojnë me prezencën e tyre paaftësinë e Listës Serbe, e cila nuk ka mundur të pajtohet me kryeministrin e tyre Albin Kurti që t’u lejojë zgjedhjet serbe. Lista Serbe është partnere e Albin Kurtit”, tha Jabllanoviq në një deklaratë për RTV Kim.
Ai ka theksuar se Lista Serbe nuk ka të drejtë të largohet nga institucionet sepse “përfaqësuesit e saj nuk po mund të bëjnë marrëveshje politike” me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
“Nëse duan të shprehin pakënaqësinë e tyre me këto institucione në një farë mënyre, nga ku i marrin pagat e tyre, e të cilat janë shumë të larta dhe përndryshe kanë dy rroga, duhet t’ua dhurojnë pagat disa organizatave humanitare serbe në Kosovë dhe të qëndrojnë në institucione për të luftuar për serbët”, tha Jabllanoviq.
Jabllanoviq ishte shkarkuar nga pozita e ministrit nga kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Isa Mustafa, pasi kishte bërë deklaratë fyese për nënat e Gjakovës.