Një muaj luftë në Ukrainë, ndërsa pamjet e shkatërrimit në vend janë transmetuar në ekranet televizive ruse, duke përfshirë këtu edhe imazhet me dron ku duken rrënojat e mbetura nga qyteti i rrethuar i Mariupolit.
Në vend që të raportohej se ndërtesat ishin shkatërruar nga bombardimet dhe sulmet me raketa ruse, televizioni rus ka pretenduar se përgjegjës për këtë ishin “nacionalistët” ukrainas.
“Këto janë imazhe të trishtueshme sigurisht. Një pamje rrëqethëse. Nacionalistët po përpiqen ta rrafshojnë atë tokë,” tha Olesya Loseva, drejtuese e një emisioni të përditshëm për çështjet e aktualitetit.
“Këto janë zona banimi, shtëpi. Ne mund të shohim edhe tym diku,” shtoi ajo.
Ndërkohë, zyrtarët dhe mediat ruse kanë pohuar vazhdimisht se forcat ukrainase po kryejnë sulme në qytetet e tyre.
Në fillim të këtij muaji televizioni rus këmbënguli se Ukraina kishte bombarduar qytetin verilindor të Kharkivit si një mënyrë për të nxitur ndjenjat anti-ruse.