Vendimi për të mos lejuar mbajtjen e zgjedhjeve serbe do t’ia minojë Kosovës aspiratat europiane, paralajmëruan ndërkombëtarët. Studiuesi Shkëlzen Gashi e sheh si shqetësues qëndrimin e Quint-it. Ai pyet se çfarë janë vërtet vlerat europiane. Kryeministri Kurti shprehu keqardhje që “çështja ka marrë një kahje tjetër”.
Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Italia, Gjermania dhe Franca janë shprehur shumë të zhgënjyera me vendimin e Qeverisë së Kosovës për të mos lejuar mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë, të caktuara më 3 prill. Këtë qëndrim shtetet e Quintit e bënë të ditur përmes një deklarate të përbashkët të mërkurën.
Një javë më parë, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi paraqiti publikisht kushtin e Qeverisë për të lejuar mbajtjen e zgjedhjeve serbe të 3 prillit në territorin e Kosovës. Në një intervistë për mediumin serb, “KoSSev”, Bislimi tha se qeveria serbe duhej t’i dërgonte kërkesë zyrtare Qeverisë së Kosovës për këtë çështje. Pas kësaj, ai tha se duhet të arrihej një marrëveshje për ta mundësuar ndonjë formë të mbledhjes së votave në Kosovë.
Kryeministri Albin Kurti tha të martën se nuk ka synuar që nëpërmjet kësaj kërkese ta sillte njohjen e Kosovës nga ana e Serbisë.
“Unë e kam ditur që kjo nuk bëhet, mirëpo nuk mund të kërkojë askush prej meje që unë të mos e njoh Republikën e Kosovës, pavarësinë e vendit tonë”, ka thënë Kurti në një intervistë për transmetuesin publik të Kosovës, RTK.
Gashi e konsideron shqetësuese qasjen e Quint-it
Shtetet e Quint-it thanë se Qeveria e Kosovës refuzoi “propozimin kontriktiv”, ndërsa shprehën vlerësim për “qasjen e Serbisë për të gjetur zgjidhje”.
Me këtë vendim, shtetet e Quint-it thonë se “Qeveria e Kosovës ka dështuar të demonstrojë përkushtimin për parimin e mbrojtjes së të drejtave civile dhe politike për të gjithë qytetarët, përfshirë edhe anëtarët e grupeve të minoriteteve”.
Publicisti dhe studiuesi Shkëlzen Gashi i tha Gazetës Express se kjo nuk është e vërtetë. “Vetë Quint-i në deklaratën e vet po e pranon se është e drejtë e Qeverisë së Kosovës që të vendosë nëse do të lejojë lehtësimin e votimeve për zgjedhjet e një vendi tjetër”.
Sipas Quint-it, “kjo sjellje e Qeverisë së Kosovës nuk është në linjë me vlerat dhe parimet tona dhe do t’i minojë aspiratat e saj europiane”.
Gashi e konsideron shqetësues këtë paralajmërim.
“Do të thotë se nëse Kosova nuk e lejon cenimin e integritetit territorial, sovranitetit, kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së vet nga Sërbia, atëherë po u minokan aspiratat europiane të Kosovës. Do të thotë, Quint-i po thotë nëse dëshironi të integroheni në Europë, duhet ta lejoni Sërbinë të hy në Kosovë sepse sipas Quint-it kjo qenka vlerë europiane. Vlerë europiane nëse lejon cenimin e integritetit territorial, sovranitetit, kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë duke e lejuar një shtet tjetër që të organizojë zgjedhjet e veta edhe nëpër territorin tënd?”, tha ai.
Cila është zgjidhja pragmatike, pyet Gashi. “Pse nuk është pragmatike që qytetarët e Kosovës që kanë shtetësi të Sërbisë e që duan të ushtrojnë të drejtën e tyre për të marrë pjesë në zgjedhjet e Sërbisë, këtë të drejtë ta ushtrojnë: a). në zyrën ndërlidhëse të Sërbisë në Kosovë; b). përmes postës; dhe c). të votojnë në territorin e Sërbisë? Po ashtu, cili është propozimi konstruktiv i propozuar nga Quint-i që e ka refuzuar Qeveria e Kosovës?”.
Quint-i po ashtu i bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë që të përmbahen nga çdo veprim dhe retorikë që mund t’i rrisë tensionet dhe mund të çojë në incidente.
“Ne presim nga Qeveria e Kosovës që të veprojë në interes të të gjithë qytetarëve të saj, të punojë në uljen e tensioneve dhe të angazhohet në mënyrë konstruktive në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian. Ky proces është kritik në arritjen e përparimit drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për normalizim, që përfundimisht do ta zhbllokonte perspektivën evropiane të Kosovës”, tha Quint-i.
Gashi pyet po ashtu se pse Quint-i po i kërkon Kosovës të mos e bëjë atë që thotë se Kosova nuk po e bën.
“Pse vendit e Quint-it po kërkojnë nga Kosova që ta mbështes stabilitetin regjional dhe të punojë për t’i ulë tensionet, kur Kosova nuk po e cënon stabilitetin regjional dhe nuk po shkakton tensione sepse nuk po kërkon Kosova që zgjedhjet e saj të mbahen edhe në territorin e një shteti tjetër të pavarur e sovran?”, tha Gashi. “Kjo kërkesë e vendeve të Quint-it për stabilitet regjional dhe ulje të tensioneve duhet t’i drejtohet Sërbisë”.
“Po ashtu, edhe thirrja e Quint-it për t’u përmbajtë nga veprimet dhe retorikat që i rrisin tensionet dhe që mund të çojnë në incidente, duhet t’i drejtohet Sërbisë”, shton ai.
Kurti: Kemi shprehur keqardhjen tonë
Kryeministri Kurti tha të mërkurën në një konferencë për media se Bashkimi Europian nuk ka qenë i lumtur pasi nuk ka pranuar që “gjithçka të përmbyllet përbrenda një letërshkëmbimi të sugjeruar ndërmjet zyrtarëve ndërlidhës”.
“Çështja ka marrë një kahje tjetër dhe ne kemi shprehur keqardhjen tonë por më shumë se kaq nuk kam se çfarë të them”, deklaroi Kurti pas mbledhjes së Qeverisë.
Paraprakisht, kryeministri tha se është i bindur që nevojitej një marrëveshje për këtë çështje.
Cili ishte propozimi
I dërguari i posaçëm i Bashkimit Europian për dialogun, Miroslav Lajçak tha se Qeveria e Kosovës ishte ajo që refuzoi propozimin e vendeve të Quint-it për mbajtjen e zgjedhjeve në Kosovë.
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë të mërkurën, Lajcak tha se shpreson që refuzimi i mbajtjes së zgjedhjeve në Kosovë nuk do të ndikojë në bllokimin e dialogut.
“Ka pasur një përpjekje – të udhëhequr nga Quint-i dhe me përfshirje aktive të Bashkimit Europian për gati dy muaj – për ta gjetur një formulë që do t’i akomodonte ndjeshmëritë e të dyja palëve. Por, në fund, propozimi i Quint-it nuk është pranuar nga Qeveria e Kosovës. Pra, nuk ka marrëveshje dhe nuk do të ketë zgjedhje [serbe] në territorin e Kosovës”, tha ai.
Lajcak tregoi se cili ishte propozimi i vendeve të Quint-it.
“Po, propozimi ka sugjeruar që kanali i vetëm zyrtar i komunikimit ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Serbisë, përkatësisht oficerët ndërlidhës, të përdoren për të përcjellë kërkesën e Serbisë [për zgjedhjet] tek autoritetet e Kosovës. Por, kjo nuk është parë si një gjë e kënaqshme ose e mjaftueshme nga Qeveria e Kosovës, e cila ka kërkuar komunikim të drejtpërdrejtë midis qeverive”, tha ai.