Në një postim të pazakonshëm në FB, Kryeministri Edi Rama përpiqet të shpjegojë arsyet se pse ai u përgjigjet vetë komentuesve në rrjetin social FB. Sipas tij, e bën këtë në respekt të individëve të panjohur e pa asnjë status publik. Por, siç ka vënë re ai, shumë prej komentuesve e shohin këtë përfshirje në komente si arrogancë, si karshillëk apo si tallje. Më poshtë Kryeministri jep këndvështrimin e tij sipas së cilit ai që nuk i përfill komentet, nuk u përgjigjet atyre apo tallet me opinionet e tyre është arrogant.
Pastaj, Kryeministri premton se nisur nga sa më sipër nuk do të ndërhyjë më.
Ja statusi i plotë i tij:
NJE KEQKUPTIM I MADH
Ndoshta jam unë gabim kur mendoj se hyrja në debat me komentues që flasin pa fakte, që shajnë e përqeshin informacionet reale, që shfryjnë mllefe e inate politike, vlen për të gjithë ndjekësit e kësaj faqeje. Prandaj edhe reagoj!
Për mua është respekt ndaj njerëzve të zakonshëm që t’i kushtoj kohë dhe energji opinioneve të kujtdoqoftë këtu, duke shfrytëzuar mundësinë e këtij rrjeti social dhe duke i kushtuar individëve të panjohur e pa asnjë status publik, një vëmendje shumë më të madhe se sa politikanëve apo opinionistëve që e kanë për zanat sharjen, fabrikimin e “fakteve”, shfryrjen e mllefeve. Po mbase jam unë gabim, përderisa disa këtu e shohin këtë përfshirje timen të drejtëpërdrejtë nëpër komente, si arrogancë, si karshillëk, si tallje e ku di unë çfarë tjetër. Për mua është krejt e kundërta, sepse një kryetar qeverie që nuk pyet për popullin, nuk respekton njerëzit apo aq më keq, tallet me opinionet e tyre, as nuk e merr kurrë mundimin të japë e të marrë me ta si i barabartë, siç bëj unë këtu prej kaq kohësh. Po ja që kjo përpjekje e imja ndeshet në një keqkuptim të madh nga ata që duan ta thonë atë që mendojnë, po nuk duan ta dëgjojnë të kundërtën nga unë, siç e dëgjoj unë prej tyre.
Sot është mëse normale që të jemi të gjithë nën stresin e shtuar prej goditjes së luftës në Ukrainë mbi çmimet! Por është anormale ta mohojmë këtë fakt duke i kërkuar shkaqet e kësaj rritjeje kudo ku ato nuk janë. Po mbase jam unë krejt gabim që këmbëngul fort për të bindur me replika edhe ata që nuk duan të binden. Prandaj, shkurt fjala, duke u kërkuar ndjesë të tërë atyre që e kanë keqkuptuar ndërhyrjen time nëpër komente si mungesë respekti, ju informoj të gjithëve se nuk do të ndërhyj më.
Që nga dita e parë në këtë detyrë kam bërë më të mirën time dhe do të vazhdoj ta bëj deri ditën e fundit në këtë detyrë. Më të mirën kam menduar edhe kur jam angazhuar drejtëpërdrejtë me komentuesit e kësaj faqeje, duke shfrytëzuar çdo kohë lëvizjeje me makinë apo në orë pushimi për të hyrë këtu e bashkëbiseduar. Kam pranuar edhe sfidën e sharjeve, mallkimeve, përqeshjeve e akuzave nga më absurdet, vetëm e vetëm në respekt të të gjithë atyre që hyjnë, lexojnë e komentojnë këtu. Hallall të gjitha, për mua jeni të tërë shqiptarë, njerëz, pjesëtarë të së njëjtës familje të madhe pavarësisht bindjeve e dasive. Unë jam ky që jam, njëri nga ju, njësoj si ju, me bindjet e me të metat e mia.
Kam bërë e do të bëj çmos deri në fund t’ju mbroj nga fatkeqësitë natyrore, sic kam bërë e do të bëj deri në fund çmos për ta ngjitur këtë vend aty ku e meriton. Këtu jam dhe patjetër do të vazhdoj t’i ndjek komentet tuaja, por në heshtje, sepse shqetësimet tuaja janë ushqimi im me energji për të luftuar çdo ditë për ju. Përshëndetje të tërëve, sidomos atyre me të cilët kemi këmbyer replika dhe doni s’doni, në fund të fundit ju dua shumë që të gjithëve🤗.