“Ky projekt-ligj përfshin financim historik, 13.6 miliardë dollarë ndihmë për Ukrainën që po lufton kundër pushtimit rus dhe ndikimin në vendet përreth”, tha ai.
“Me këtë projektligj, ne do t’i dërgojmë një mesazh popullit amerikan – një mesazh të fortë që demokratët dhe republikanët në fakt mund të bashkohen dhe të bëjnë diçka për të përmbushur përgjegjësitë tona më themelore – që përfshin edhe mbajtjen e hapur të qeverisë”, u mburr Biden.
Agresioni i Rusisë ka bashkuar njerëzit në të gjithë Amerikën si dhe dy partitë amerikane në Kongres, shtoi ai, raporton cnn.
Senati miratoi projekt-ligjin e shpenzimeve të enjten vonë me një votim dypartiak – 68 vota pro dhe 31 kundër. Projektligji përfshin gjithashtu dispozita për zbatimin e sanksioneve.
Paketa e ndihmës emergjente parasheh që me katër miliardë dollarë të ndihmohen refugjatët që kanë ikur ose janë zhvendosur brenda Ukrainës dhe rrit autoritetin e presidentit për transferimin e pajisjeve të mbrojtjes në shtetin ukrainas dhe vendet e tjera aleate në tri miliardë dollarë.