Problemet infrastrukturore që mbërthejnë Komunën e Prishtinës janë jashtëzakonisht të mëdha.
Shumë prej qytetarëve vazhdojnë të ankohen për problematikat që hasin çdo ditë si pasojë e dëmeve të mëdha në kuadër të infrastrukturës.
Trotuare të lëna në harresë e të parregulluara, e rrugë krejtësisht të dëmtuara janë shumë prej pamjeve në të cilat qytetarët e Prishtinës hasin çdo ditë.
Por padyshim se një nga zonat më problematike sa i përket infrastrukturës janë rrugët lidhëse të “Muharrem Fejzës”.
Thuajse të gjitha rrugët lidhëse në këtë anë kanë mbetur krejtësisht me gropa, e shpesh herë edhe më rrjedha të ujërave që askush nuk brengoset t’i rregullojë.
Lidhur me këtë, lajmi.net ka kontaktuar Komunën e Prishtinës, të cilat kanë theksua se në buxhetin e vitit të kaluar ishte paraparë të realizohen punime në disa nga këta krahë.
Sipas DIKMK-së, në disa prej këtyre rrugëve janë kryer punimet e vrazhda të objekteve banesore, por mundësitë buxhetore kanë lejuar që të tenderohet vetëm rruga “Uran Ajeti”, me të gjitha fazat e infrastrukturës.
“Krahët e rrugës Muharrem Fejza ju njoftoj se në buxhetin e vitit të kaluar 2021 janë paraparë të realizohen punime në disa nga këta krahë në të cilët janë kryer punimet e vrazhda të objekteve banesore, mirëpo mundësit buxhetore kanë lejuar që të tenderohet rruga Uran Ajeti me të gjitha fazat e infrastrukturës ku edhe është lidhur kontrata, mirëpo për shkak të çështjeve pronësore – juridike punimet në këtë rrugë nuk kanë filluar!.”, thuhet në përgjigjen e Komunës së Prishtinës.
E probleme edhe më të mëdha në këto rrugë janë shfaqur që nga nisja e punimeve të kompanisë “All Zone” e cila merret me rrjetin e ngrohjes saktësisht me termokosin.
Pavarësisht se këta të fundit parashihej që rrugët ti kthenin në një gjendje të përafërt me atë që ishin më parë pas punimeve, një gjë e tillë nuk ka ndodhur.
Pas punimeve nga kjo kompani thuajse të gjitha rrugët janë lënë në gjendje të mjerueshme, gjë që ka ndikuar në jetesën e shumë banorëve të kësaj ane.
Përpos dëmeve të shumta në automjete, banorët e kanë të pamundur të lëvizin nga papastërtia që krijohet tashmë në këto rrugë.
E lidhur me këtë sipas Komunës së Prishtinës, kompania All Zone është duke e shpërndarë rrjetin e ngrohjes në këto lagje dhe punimet janë në realizim e sipër.
Edhe pse në këtë lagje ka kohë që nuk janë parë përfaqësuesit e kompanisë All Zone, sipas komunës kjo kërkon kohë për realizim.
“Kurse për sa i përket Punimeve të Termokosit ( All Zone), kjo kompani është duke e shpërndarë rrjetin e ngrohjes në këtë lagje dhe këto punime janë në realizim e sipër dhe kërkojnë kohë për implementim!”, thuhet tutje në përgjigje.
E problemet e shfaqura për banorët e kësaj ane si pasojë e punimeve në rrugë padyshim se vetëm se po e bënë pamjen e Prishtinës edhe më të shëmtuar, e jetën e qytetarëve edhe më të vështirë, gjë e cila po lihet si gjë aspak urgjente nga secila qeverisje.