Kosova dhe Mbretëria e Danimarkës pritet të nënshkruajnë marrëveshjen për dhënien me qira të qelive për të burgosurit në fillim të muajit maj ose në fillim të muajit maj.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha se marrëveshja do të jetë dobiprurëse për të dyja vendet dhe do të forcojë marrëdhëniet bilaterale.
“Qëllimi jonë i përbashkët është që kjo marrëveshje të finalizohet siç e përmendi edhe ministri Haekkerup sa më shpejt. Planifikojmë që në muajin që vjen, ose më së largu në fillim të muajit maj, ende se kemi vendosur datën se kur do të finalizohet kjo marrëveshje dhe procedohet në kuvendet e dy vendeve. Është e rëndësishme që kjo marrëveshje sa më parë të finalizohet. Pastaj do të bëhen disa rinovime në qendrën e paraburgimit në Gjilan, kjo është marrëveshje që e kemi bërë gjatë kësaj kohe. Pasi ka nevojë për rinovime të tilla dhe pastaj kur qendra të jetë gati ne obligohemi të njoftojmë Mbretërinë e Danimarkës dhe gradualisht të sillen të burgosurit në Kosovë”, tha Haxhiu në konferencën e përbashkët për medie me homologun nga Mbretëria e Danimarkës, Nick Haekkerup.
“Një marrëveshje e tillë do të mundësojë të jemi më të zëshëm në çështjet si liberalizmi i vizave dhe çështjet tjera që lidhen me BE-në dhe NATO-n. Në këtë kohë, tashmë kur bota po gjendet në vështirësi të madhe është e rëndësishme për ne të shohim zotimin dhe angazhimin e madh të Kosovës drejt NATO-së, BE-së dhe dëshiron për të qenë pjesë e vlerave perëndimore evropiane. Kjo marrëveshje do të mundësojë që t’i mbrojmë interesat e Kosovës në fusha të ndryshme, përfshirë edhe aspektin e liberalizimit të vizave. E kuptoj se është çështje me rëndësi dhe një temë do të diskutojë në Danimarkë” tha ai pas pyetjes së KosovaPress.
Ministria Haxhiu foli edhe për aksionin e djeshëm të institucioneve shtetërore për ngritjen e çmimit të vajit ushqimor.
“Qeveria e Kosovës dënon ashpër të gjitha manipulimet dhe mashtrimet që janë bërë me çmimet e produkteve bazë për konsumatorët, po ashtu edhe të derivateve. Siç kemi pa dje ka pasur një mobilizim për ndalimin e këtyre mashtrimeve. Dje i kam bërë thirrje policisë dhe prokurorisë që të adresojë këtë shqetësim serioz për qytetarët”, tha ajo.
Në dhjetor të vitit 2021 Kosova ka nënshkruar një marrëveshje letër-qëllim me Danimarkën për dhënien me qira të 300 qelive të burgut në vend.