Bashkëpunimi dypalësh ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës Federale të Gjermanisë, i cili është duke u intensifikuar, ishin tema qendrore e këtij takimi.
Në hapje të takimit, kryeministri Kurti falënderoi ministren Baerbock për vizitën e saj në Kosovë, në një kohë mjaft të tensionuar dhe të vështirë për botën demokratike.
Ai theksoi lidhjen e fortë dhe të veçantë të Republikës së Kosovës me shtetin dhe popullin gjerman. Po ashtu shprehu mirënjohjen ndaj Gjermanisë për ndihmën në kohë të vështira gjatë luftës, përkrahjen për shtetndërtimin tonë, si dhe për rolin aktiv, mbështetës për Republikën e Kosovës në kuadër të perspektivës evropiane.
Kryeministri Kurti e njoftoi Ministren për punën e qeverisë në reformën për drejtësi, luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Ai theksoi ndikimet direkte dhe pozitive, që stabiliteti institucional ka sjellë në performancën e ekonomisë së Kosovës.
Në këtë drejtim ai tha se na duhet ndihmë nga Bashkimi Evropian, dhe theksoi se fondet duhet të jenë të ndërlidhura me vlerat e BE-së, që janë të domosdoshme në mënyrë që të ketë paqe të qëndrueshme dhe stabilitet afatgjatë në Ballkanin Perëndimor.
Ministrja Baerbock theksoi se Republika Federale e Gjermanisë dëshiron të zgjerojë edhe më tej marrëdhëniet e ngushta bilaterale me Republikën e Kosovës. Po ashtu shprehu mbështetje për liberalizimin e vizave.
Kryeministri tha se e ardhmja e Kosovës është në NATO dhe në Bashkimin Evropian dhe se roli i Gjermanisë në përshpejtimin e integrimit të Kosovës është qendror.
Kosova mund dhe duhet të përfitojë më shumë nga fondet e BE-së në infrastrukturë, energji dhe projekte zhvillimore, tha kryeministri Kurti duke theksuar se Gjermania si anëtare me ndikim brenda BE-së mund të na ndihmojë më shumë në këtë drejtim.
Ai shtoi se Kosova është partner i qëndrueshëm për Gjermaninë dhe Bashkimin Evropian, duke përmendur pranimin e refugjatëve afganë, sanksionet kundër Rusisë, gatishmërinë për të pranuar 20 gazetarë ukrainas dhe gatishmërinë për strehim të deri 5000 refugjatëve.
Po ashtu, e informoi ministren me rolin pozitiv e pro-aktiv që Kosova po luan në çështjet rajonale, ndërsa ritheksoi se Kosova është përkrahëse e fuqishme e Procesit të Berlinit dhe e Tregut të Përbashkët Rajonal.
Ministrja Baerbock theksoi se Ballkani Perëndimor qëndron në listën e prioriteteve të qeverisë gjermane, me qëllimin që rajoni të zhvillohet në mënyrë paqësore. Ajo tha se për këtë arsye është vendosur që për herë të parë të krijohet një funksion qendror i ri i një të ngarkuari special për shtetet e Ballkanit Perëndimor.
Ajo shprehu mbështetje për qeverinë demokratike, reformën në drejtësi, luftimin e korrupsionit, dhe forcimin e sundimit të ligjit.
Kryeministri tha se puna dhe veprimtaria e mërgatës sonë në Gjermani është jetike për shtetin tonë dhe potencoi potencialin për bashkëpunim të shtuar ekonomik. Kjo shihet sidomos në rritjen e eksportit kosovar me destinacion në Gjermani, por edhe investimet direkte të shtuara nga Gjermania në Kosovë.
Duke biseduar për fushën e energjisë, Kryeministri theksoi përkushtimin e Qeverisë për zbatimin e Agjendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor. Në takim u tha se synimet e Kosovës dhe Gjermanisë përputhen veçanërisht sa i përket nevojës për të gjetur mundësi për furnizim të pavarur dhe të qëndrueshëm me energji.