Saturday, November 23, 2024
HomeLajmeKosovaKryediplomatja gjermane: Para anëtarësimit në BE është statusi i kandidatit, para statusit...

Kryediplomatja gjermane: Para anëtarësimit në BE është statusi i kandidatit, para statusit të kandidatit dialogu me Serbinë

Kryediplomatja gjermane, Annalena Baerbock e cila zhvilloi disa vizita në Prishtinë tha se para anëtarësimit të Kosovës në Bashkimin Evropian është statusi i kandidatit, ndërsa para statusit të kandidadit është dialogu me Serbinë.

Baerbock thotë se është shumë e rëndësishme që të dyja palët të ulen në tavolinën e dialogut për normalizim të marrëdhënieve.

“Prandaj jam edhe këtu, për të dhënë një sinjal të qartë sa i përket perspektivës së BE-së, por para anëtarësimit është statusi i kandidatit, dhe para statusit të kandidatit vjen edhe dialogu për normalizim. Prandaj theksova, se ne si Gjermani do të bëjmë gjithçka që do t’ju ndihmojmë dhe t’ju mbështesim që ju të shkoni në këtë rrugë në mënyrë që ky dialog për normalizim të përparojë. Prandaj është e rëndësishme që të dy palët të ulen në këtë tavolinë të dialogut dhe të flasin me njëri tjetrën, duam të theksojmë se kjo mënyrë është Evropa jonë e përbashkët, ne edhe në Evropë kemi bërë premtime në të kaluarën dhe tani duhet që ta mbajmë fjalën.

Proceset që i udhëheqë apo i lehtëson BE-ja, dhe përpjekjet që po i bën Lajcak, do t’i mbështesim me gjithçka që kemi”, tha Baerbock në një konferencë për media që mbajti me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Kryediplomatja gjermane po ashtu përmendi edhe vuajtjet e kosovarëve në luftën e fundit në Kosovë, për të cilat tha se këto nuk duhet të harrohen.

“Porosia ime sot është gjithashtu se ne po u zgjasim dorën vendeve të rajonit në rrugën e tyre drejt Evropës. Ne shpresojmë që ato do ta përshkojnë këtë rrugë së bashku në kuptim të paqes dhe sigurisë. Një nga përparësitë në këtë është forcimi I besimit në rajon, na duhet para se gjithash përparime në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë. Për ne është shumë e lehtë të thuhet dhe e kuptoj se sa të dhimbshme janë temat për të cilat bëhet fjalë, pyetje për të cilat ka çdo familje në Kosovë deri sot. Unë nuk mund ta imagjinoj se çfarë do të thotë që këto vuajtje të luftës të cilat I ka përjetuar secila familje, vrasjet ndaj fëmijëve, gjithashtu edhe dhunimet që kanë ndodhur këtu në Kosovë gjatë luftës, këto do të përcillen me gjenerata. Prandaj dua të theksoj se asgjë nga këto duhet të harrohen apo të fshihen në një anë”, tha Baerbock, sipas përkthimit zyrtar.

Ajo po ashtu theksoi në dialogun Kosovë-Serbi do të duhen të merren vendime të vështira për t’i krijuar një të ardhme gjeneratës së re.

“Ne si BE dhe si  bashkësi ndërkombëtare do të marrim përgjegjësi, dhe në të njëjtën kohë kërkohet pragmatizëm dhe guxim për vendime të vështira për t’ua dhënë gjeneratës së re një mundësi për një të ardhme më të mirë. Këtë po e them këtu, e do ta theksoj edhe nesër në Beograd”, tha Baerbock.

Kryediplomatja gjermane falënderoi Kosovën për qëndrimin e saj sa i përket pushtimit rus në Ukrainë, për të cilën tha se ka treguar që ky vend i përket Evropës.

“Prandaj e falënderoj qeverinë e Kosovës që me solidaritet i është bashkuar masave të BE-së që në fillim. Ky qëndrim i qartë dhe i vendosur ka treguar edhe njëherë sikundër edhe gjithë rajoni i Ballkanit Perëndimor i përket Evropës. Ju mund të llogaritni në këtë në rrugën drejt një integrimi evropian gjithnjë e më të fuqishëm. Jemi dhe do të mbetemi partneri i juaj. Si një nga vendet e para në botë, Gjermania e ka njohur Kosovën si një shtet multietnik dhe mbetemi të bindur që të gjitha grupet etnike në këtë vend do të kenë një të ardhme të përbashkët dhe në këtë frymë i gëzohem bashkëpunimit tonë të mëtutjeshëm”, tha Baerbock, sipas përkthimit zyrtar.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments