Ish-kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka kritikuar sot qeverinë Kurti për rritjen e çmimeve në vend. Ai përmes një postimi tha se spekulantët i rrisin çmimet “kurse qentë e luftës kërkojnë hapësirë për të profituar.
Kështu sipas Mustafës në fund mbesin qytetarët që e paguajnë çmimin e siç tha ai “frustrimeve të pamenaxhueshme”.
“Nuk është roli i institucioneve të Kosovës, poashtu, të tmerrojë qytetarët çdo mëngjes se po na sulmon Serbia. Sepse, njerëzit shqetësohen, frikësohen; spekulantët i rrisin çmimet, kurse qentë e luftës kërkojnë hapësirë për të profituar. Në fund mbesin qytetarët që ju votuan, ata që e paguajnë çmimin e frustrimeve të pamenaxhueshme”, tha Mustafa.
Më tutje Mustafa tha se qeverisja në kohë të rëndomta ec vet, e në kohë të vështira tregon lidership.
“Prandaj Qeveria s’ka arsye të vajtojë por duhet të ngjeshët dhe të tregojë lidership. Sepse, qeverisja në kohë të rëndomta ec vet, e në kohë të vështira tregon lidershi, dije”, tha ai.
Postimi I plotë:
Qeveria do duhej të kërkojë dhe të gjejë zgjidhje në këtë periudhë të ndërlikuar sociale por edhe politike. Më së paku i takon të humbë kohë me arsyetime dhe me fajësime të të tjerëve.
Çmimin e energjisë, të vajit, të derivateve të naftës, e shumë tjera, nuk i ngritën qeveritë e kaluara. Kjo opozitë nuk po e gjuan Qeverinë me shishe molotovi, me granata, me bomba, gaz lotsjellës, gurë.. Përpos një partie parlamentare e njërës jashtë parlamentit, opozita tjetër s po ua prishë terezinë. Prandaj Qeveria s’ka arsye të vajtojë por duhet të ngjeshët dhe të tregojë lidership. Sepse, qeverisja në kohë të rëndomta ec vet, e në kohë të vështira tregon lidership. Dije, organizim, drejtim.
Nuk është roli i Qeverisë tonë për ta edukuar dhe disiplinuar Putinin as për të bërë luftën në Ukrainë. Atje po lufton një popull i tërë me përkrahje të drejtë dhe solidarizim nga e gjithë bota. Ka edhe solidarizimin tonë.
Nuk është roli i institucioneve të Kosovës, poashtu, të tmerrojë qytetarët çdo mëngjes se po na sulmon Serbia. Sepse, njerëzit shqetësohen, frikësohen; spekulantët i rrisin çmimet, kurse qentë e luftës kërkojnë hapësirë për të profituar. Në fund mbesin qytetarët që ju votuan, ata që e paguajnë çmimin e frustrimeve të pamenaxhueshme. IM