Kryeministri Albin Kurti ka njoftuar sot se do të fillojnë me ndarjen e subvencioneve për bujqit këtë muaj.
Kurti tha se nuk do të ketë vonesa për ndarjen e këtyre subvencioneve.
“Vitin e kaluar e patëm bërë të ditur se thirrjet për aplikime për subvencione për këtë vit do të hapen në çerekun e parë të vitit dhe atë po e bëjmë. Programet e subvencionimit do të bëhen në këtë muaj, pra në muajin mars. Nuk do të kemi vonesa por vendosjen rekorde të programeve mbështetëse për bujqit. Investimet dhe përkrahja në këtë sektor kërkojnë vëmendje dhe planifikim ashtu që të kemi zbatimin e duhur”, tha ai.
Me ndarjen e këtyre subvencioneve, sipas Kurtit po synohet ulja e varësisë ndaj importit të prodhimeve agro-ushqimore.
“Tek ne prodhimi i ulët vendor, varësia e plotë ndaj importit dhe si importues neto të prodhimeve agro-ushqimore ka bërë që të goditemi të parët edhe nga krizat ma të vogla. Nafta paraqet një ndër shpenzimet kryesore operative përmes fermerëve. Deri këtë vit përkundër premtimeve që janë dhënë asnjë qeveri nuk i ka përkrahur bujqit në këtë drejtim “, tha kryeministri.
Kurti u zotua se nga këto subvencione do të përfitojnë vetëm bujqit e vërtetë dhe se nuk do të ketë vend për keqpërdorime.
“Ne po sigurohemi që vetëm bujqit e vërtetë të marrin përkrahje dhe ne po e shtojmë këtë përkrahje. Me subvencionimin e naftës po përmbushet edhe një zotim publik zgjedhor dhe qeveritar i yni. Deri dje ky ishte një zotim ndaj të cilit ishin llogaridhënie ndërsa tani është një nevojë për bujqit për të cilët kemi përgjegjësi”, tha ai.
Sipas kryeministrit, vetëm për subvencionimin e naftës për bujqit janë ndarë 5 milionë euro.
“Sot duke mbajtur zotimin, qeveria do të subvencionojë çmimin e naftës për bujqit në vlerë 5 milionë euro. Andaj prej 36 cent për litër do të subvencionet nafta për të gjitha kulturat. Bujqit përveç naftës do të subvencionohen edhe për plehërim pranveror. 150 euro për hektarë për grurin, ndërsa nga 100 euro për hektarë për kulturën e misrit, patates dhe fasules”. tha Kurti.
Kurti ka treguar edhe se si do të ndahen subvencionet në bazë të kulturave bujqësore.
“Për grurin përveç subvencionit prej 150 euro për hektarë do të bëhet edhe subvencioni për 3 cent për kilogram për dorëzim në mulli të rendimentit. Në total duke përfshirë këto subvencione, kulturën e grurit po e subvencionojmë për 474 euro për hektarë, 324 euro më shumë se vitin e kaluar, ose një rritje prej 216%. Të gjitha këto për qëllim e kanë rritjen e rendimentit që i përket nevojës vendore për konsum dhe e zëvendëson nevojën për import të lartë. Po aq edhe sa avancimin e sektorit të bujqësisë si një sektor me potencial për zhvillimin e bujqësisë në vendin tonë”, deklaroi Kurti.
Ndërkaq, ministri i bujqësisë, Faton Peci tha se në total vlera e subvencionimit për bujqit këtë vit do të jetë 50 milionë euro.
“Përkrahja do të jetë substanciale për shumicën e produkteve e veçanërisht të atyre substanciale që vlerësohet se bëjnë pjesë në sigurinë kombëtare të ushqimit, saç janë drithërat, gruri, perimet, patatet, fasulet. Vetëm për përkrahjen e subvencionimit për këtë vit, falë përkrahjes të Qeverisë i kemi rreth 50 milionë euro vetëm në kategorinë e subvencioneve dhe shumë shpejtë do të bëjmë hapjen e thirrjes edhe për grantet”, tha ai.