Një nga protagonistët e “gardës së vjetër” të LDK-së, Haki Rugova, ka vdekur sot.
Haki Rugova ishte pjesë e LDK-së, që prej vitit 1989, kur kjo parti u formua dhe veproi aktivisht aty, që nga atëherë. Në LDK, edhe figurat kyçe të saj lëviznin, revoltoheshin, dilnin e hynin në parti. Por, lidhja e Haki Rugovës me partinë në më shumë se 30 vjet nuk ka pasur dramë.
Rugova vinte nga Istogu, vendlindja e Ibrahim Rugovës dhe bastioni i padiskutueshëm i LDK-së në tri dekada. Karrierën politike e kishte të lokalizuar aty.
Për disa vjet, kur një figurë tjetër e lartë e LDK-së, Fadil Ferati, udhëhiqte Istogun, Rugova mbante pozitën e nënkryetarit në këtë qytet. Pas vdekjes së Feratit, Rugova do ta drejtonte Istogun për tri mandate.
Kjo rrethanë, Rugovën e kishte ngjitur në majat e LDK-së. Kur Isa Mustafa e drejtonte partinë, Rugova ishte në treshen e nënkryetarëve, bashkë me Agim Veliun e Lutfi Hazirin. Ndryshe nga këta dy, Rugova nuk njihej për deklarata të shpeshta publike, për çështjet nacionale.
Postimin e fundit në faqen e tij në Facebook, Rugova e kishte një përkujtim për mikun e tij, Fadil Feratin, që më 30 janar po i bënte 12 vjet që kishte vdekur.
Në fillim, kur mbeti njeri kryesore i LDK’së, Rugova i fitonte zgjedhjet pa pengesa në Istog, e më pas, gjatë qeverisjes së tij, fitoret nuk i kishte të sigurta. Zgjedhjet lokale të vitit 2017, ishin të fundit që ai garoi për kryetar të Istogut. Ato i fitoi pas balotazhit me kandidatin e AAK-së.
Në mandatin e fundit të tij nisen edhe problemet me ligjin. Në vitin, 2018, ndaj tij u ngrit një aktakuzë për konflikt interesi në një tender të dhënë në komunë, ndërsa në qershor të 2021-s, u dënua me një vit burgim efektiv.
Pozita e fundit që ka mbajtur ka qenë ajo e Kryetarit të Degës së LDK’së në Istog.
Lajmin për vdekjen e tij e ka konfirmuar zëdhënësja e kësaj partie, Sibel Halimi.