Pushtimi i Ukrainës nga Rusia ka hyrë sot në ditën e 13-të. Këto janë disa nga lajmet e fundit nga Ukraina.
Shefi për çështje humanitare i Kombeve të Bashkuara, Martin Griffiths, i bëri thirrje Ukrainës dhe Rusisë që të sigurojnë korridore të sigurta për civilët që ikin nga luftimet dhe për dërgimin e ndihmave humanitare në zonat e armiqësive aktive.
Granatimet e ushtrisë ruse vazhdojnë të pengojnë evakuimin e civilëve nga qytetet e rrethuara: Kiev, Mariupol, Sumi dhe Harkiv, thotë Ukraina.
Mediat shtetërore ruse thonë se ushtria ruse është e gatshme t’i rihapë korridoret humanitare.
Ukraina ka refuzuar të hënën propozimin rus për largimin e civilëve, pasi shumë nga rrugët e evakuimit çonin vetëm në Rusi ose në aleatin e saj – Bjellorusi.
Rundi i tretë i bisedimeve për paqe midis Rusisë dhe Ukrainës përfundoi të hënën me pak marrëveshje. Rundi i katërt pritet të zhvillohet sot.
Ministrat e Jashtëm të Ukrainës dhe Rusisë do të takohen këtë të enjte në Turqi./