Saturday, November 23, 2024
HomeBotaSeanca e parë në Hagë për luftën në Ukrainë, përfaqësuesi i Kyivit:...

Seanca e parë në Hagë për luftën në Ukrainë, përfaqësuesi i Kyivit: Putini gënjen, po i vret civilët

Rusia nuk mori pjesë në seancën e parë të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë për luftën në Ukrainë. Përfaqësuesi i Kyivit kërkoi një urdhër emergjent për ndalimin e menjëhershëm të pushtimit. Ndërsa ambasadori rus, Aleksandër Shulgin, sinjalizoi se qeveria e tij nuk ka ndërmend të jetë pjesë e procedurës. Kryegjyqtarja e gjykatës më të lartë të Kombeve të Bashkuara, pati një koment për këtë vendim.

“Gjykatës i vjen keq për mosparaqitjen e Federatës Ruse në këto procedura verbale”, tha presidentja e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë Joan Donoghue.

Përfaqësuesi i Ukrainës, Anton Korineviç, nënvizoi se “fakti që karriget e Rusisë janë bosh, flet shumë”.

“Ata nuk janë këtu në këtë gjykatë të ligjit, por janë në fushëbetejë duke bërë një luftë agresive kundër vendit tim”, tha ai.

Përfaqësuesi i Kyivit akuzoi Moskën për abuzim me Konventën për Gjenocid duke përdorur pretendime false të një gjenocidi joekzistent si pretekst të rremë për të justifikuar pushtimin.

“Mesazhi im për Rusinë është ky: Le t’i zgjidhim mosmarrëveshjet tona si kombe të civilizuara, të ulim armët dhe na sillni provat”.

Më tej, akuzoi presidentin rus, Vladimir Putin se po gënjen me pretendimet e tij dhe se civilët në Ukrainë po vriten.

“Rusia duhet të ndalet dhe Gjykata ka një rol për të luajtur në ndalimin e saj. Prandaj populli në Ukrainë, qeveria dhe presidenti Volodymyr Zelensky, ju kërkojnë me respekt, por me urgjencë për të pranuar kërkesën tonë për masa provizore.”

Rusia dhe Ukraina janë anëtare të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe të dyja shtetet kanë nënshkruar Konventën e Gjenocidit.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments