Presidenti i Lituanisë, Gitanas Nauseda, paralajmëroi të hënën kryediplomatin amerikan, Antony Blinken, se dështimi për të ndaluar agresionin rus në Ukrainë, do të çojë në një konflikt global.
Sekretari amerikan i Shtetit po qëndron për vizitë në Vilnius.
Duke iu drejtuar atij, Nauseda tha se udhëheqësi rus, Vladimir Putin, “nuk do të ndalet në Ukrainë” dhe se bota e ka detyrim t’i ndihmojë ukrainasit “me të gjitha mjetet në dispozicion”.
“Vërtet mendoj në të gjitha mjetet, nëse duam të shmangim Luftën e Tretë Botërore. Zgjedhja është në duart tona”, tha ai.
Lituania, vend anëtar i NATO-s, ka dërguar ndihmë ushtarake në Ukrainë dhe ka mirëpritur disa refugjatë ukrainas qëkur ka filluar pushtimi i saj nga Rusia, më 24 shkurt.
Blinken u takua me Nausedan përpara bisedimeve me ministrin e Jashtëm dhe kryeministrin e Lituanisë.
Ai i tha më herët stafit të Ambasadës amerikane në Vilnius, se pushtimi rus i Ukrainës ka sfiduar parimet bazë, të krijuara për ruajtjen e paqes midis vendeve.