Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka thënë se raportet shtetërore në mes të Kosovës dhe Serbisë janë shumë më të këqija sesa raprotet Rusi-Ukrainë, prandaj thotë se nisur nga kjo, asnjëherë s’duhet përjashtuar mundësinë e një agresioni serb ndaj Republikës së Kosovës. Konjufca thotë se kur bëhet fjalë për Serbinë, duhet përgatitur për skenarin më të keq.
Ai tutje ka potencuar se bazuar në këtë, FSK-ja duhet ta shtojnë dhe rrisin nivelin e të drejtës së tyre për llojin e armatimit dhe shton se kjo duhet bërë në partneritet me NATO-n dhe se duhet bindur NATO që Kosova ka nevojë për një gjë të tillë.
Kreu i Kuvendit thotë se askush para dy muajsh nuk e kishte menduar se një gjë e tillë mund të ndodhte në Ukrainë.
“Kurrë s’duhet ta përjashtojmë mundësinë dhe potencialitetin e një agresioni serb mbi Republikën e Kosovës. Duke u nisur nga ky pretendim, nga ky postulat, për këtë arsye ne mendojmë që forcat e sigurisë së Kosovës duhet ta rrisin nivelin e të drejtës së tyre për llojin e armatimit. Pra, Republika e Kosovës padyshim që duhet ta ketë edhe nivelin artilerik të ushtrisë së vet. Natyrisht, këto do t’i bëjmë në bashkëpunim të ngushtë me NATO-n. Në njëfarë mënyrë, ne duhet t’i bindim ata si partnerë, që Kosova ka nevojë për këtë gjë”, ka thënë Konjufca.
Kryeparlamentari, duke folur për sigurinë aktuale në Kosovë, përmendi edhe marrëveshjen që NATO ka me Serbinë, derisa shton se duke e njohur Serbinë, ekziston frika për shkelje të saj nga ana e Beogradit.
“Natyrisht që NATO është e pranishme në Kosovë dhe përveç kësaj është e pranishme sipas një marrëveshje ushtarake që e ka me Serbinë, marrëveshje tekniko-ushtarake e Kumanovës, e cila ka pasë të bëjë me tërheqjen e forcave serbe nga terrori ynë. S’kam frikë të pajustifikuar që kjo marrëveshje mund të shkelet nga ana e Serbisë përmes një sulmi mbi Kosovën, por ne duhet të jemi të gatshëm që në raport me Serbinë ta mendojmë skenarin më të keq të mundshëm. Relacioni, në kuptimin shtetëror dhe institucional, i Serbisë ndaj Republikës së Kosovës është më i keq se i Federatës Ruse që e ka pasë me Ukrainën, pra Federata Ruse e ka njohur Ukrainën dhe megjithatë e ka sulmuar. Neve Serbia as që na njeh. Marrëdhëniet me Serbinë i kemi shumë më të këqija duhet të kemi kujdes të shtuar në relacion me Serbinë”, ka potencuar Konjufca.
Në këtë kontekst, Konjufca tha se Bashkimi Europian duhet të ndryshojë strategjinë ndaj rajonit për arsye të sigurisë.
“Ballkani Perëndimor duhet të konceptohet edhe si çështje e sigurisë tashmë dhe jo vetëm çështje e disa kritereve të ndërlikuara që kurrë s’po iu vjen fundi, në kuptimin shtëpiak të fjalës, pra reformat që duhen të bëhen”.
Konjufca tha se BE duhet të punojë në krijimin e një hapësirë homogjene në Europë, duke u zgjeruar dhe që në këtë mënyrë të mos i lejojë hapësirë Rusisë.