Autoritetet ukrainase kanë thënë se trupat ruse kanë marrë kontrollin e centralit bërthamor, Zaporizhzhia.
“Personeli operacional është duke vëzhguar situatën e njësiteve të energjisë”, ka thënë një autoritet lokal për mediat, raporton agjencia e lajmeve, Reuters.
Personeli është duke vazhduar punën dhe duke vëzhguar situatën, ka thënë autoriteti.
Një zjarr ka shpërthyer disa orë më parë në këtë central – më i madhi në Evropë – pas sulmeve ruse.
Ndryshe, centrali më i madh bërthamor në Ukrainë, Zaporizhzhia, u raportua se u sulmua nga rusët në orët e para të së premtes së 4 marsit.
Sulmi ndodhi në orët e hershme të mëngjesit të së premtes sipas orës lokale në Ukrainë.
Përreth zonës së centralit kanë qenë duke u zhvilluar luftime prej disa ditësh.
U konfirmua se sulmi nuk shkaktoi pasoja aq të mëdha sa të shkaktonte fatkeqësi bërthamore.
Ekspertët raportuan se nuk ka rritje të nivelit të radioaktivitetit.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, kërkoi ndihmë nga Bashkimi Evropian pas sulmit.
Zelensky tha se nëse vazhdojnë bombardimet, fatkeqësia mund të jetë më e madhe se ajo e Çernobilit që ndodhi në vitin 1986.
Shtëpia e Bardhë tha se ka informacione se aktualisht nuk ka rrezik të lartë nga rritja e nivelit të radioaktivitetit.
Centrali bërthamor Zaporizhzhia është më i madhi në Evropë.