Tuesday, November 26, 2024
HomeLajmeKosovaKurti për Independent: Kosova mund të jetë viktimë e agresionit rus, na...

Kurti për Independent: Kosova mund të jetë viktimë e agresionit rus, na duhet anëtarësimi në NATO sa më shpejt

Kryeministri kosovar Albin Kurti në një intervistë për The Independent ka thënë se Kosova mund të jetë vendi i radhës që do të përballet me agresionin ekspansionist të Rusisë, duke kërkuar kështu anëtarësimin sa më të shpejtë në NATO.

Kurti tha se perëndimi duhet të dallojë synimin e Rusisë për të kryer gjenocid në Ukrainë, ndërsa thotë se edhe Ballkani Perëndimor mund të përballet me rrezik të shtuar të konflikitit ushtarak për shkak të situatës në Ukrainë.

“Ky invazion rus, ky agresion ushtarak nuk është më politik. Është gjenocid. Shihet qëllimi gjenocidal që rezulton në aspekte logjistike dhe demografike. Kur shoh se çfarë po ndodh në Kiev, duket se kjo është një tjetër Sarajevë në përgatitje,” shtoi ai.

The Independent shkruan se pas pushtimit të Ukrainës, Kurti ka frikë se Kosova mund të përballet me një konflikt ushtarak të ndërmjetëm, pasi Rusia ushtron ndikimin e saj politik në Serbi.

Paralajmërimet e tij vijnë pas një grumbullimi të forcave ushtarake në kufirin verior të Kosovës në fund të vitit të kaluar, që përfshinte tanke të prodhuara në Rusi dhe avionë luftarakë MiG.

“Mendoj se Ballkani Perëndimor është në rrezik edhe më të madh se vendet baltike dhe Moldavia, sepse atje Rusia do të kishte ndarë një pjesë të forcës së saj ushtarake. Në rastin e Ballkanit Perëndimor nuk do të duhej ta bënte fare këtë, sepse Serbia mund të jetë vlerë e shtuar e agresionit të tyre ushtarak. Ne do të donim të anëtarësohemi në NATO sa më shpejt të jetë e mundur.”

“Gjithashtu insistoj që NATO të jetë shumë më vigjilente se sa është tashmë. Në Moskë kemi një udhëheqës të fuqishëm që po pakëson rrugët e tij të arratisjes. Ai nuk është një person që duket i gatshëm të bëjë paqe, përkundrazi do të bëjë përpjekje për zgjerim të luftës. Kjo është arsyeja pse jemi në rrezik.”

Sipas The Independent, Kosova nuk ka gjasa të realizojë anëtarësim të shpejtë në NATO, ndërsa më shumë se 100 vende e kanë njohur Kosovën si shtet të pavarur, katër shtetet anëtare të NATO-s nuk e kanë bërë këtë. Vendi gjithashtu nuk është anëtar i OKB-së, si rezultat i kundërshtimeve ruse. Kurti ka kërkuar që, të paktën, forcat e NATO-s të shqyrtojnë shtimin e pranisë ushtarake në vendin e tij.

The Independent shkruan se Serbia ka lidhje të ngushta me Rusinë dhe ka kryer stërvitje të përbashkëta ushtarake me këtë vend, në tetor të vitit të kaluar. Agjencia ruse e lajmeve TASS raportoi se presidenti serb Aleksandar Vuçiq, tha se të dy vendet kanë mbajtur 96 stërvitje të përbashkëta në vitin 2019. Shumica e armëve të vendit janë të importuara nga Rusia, sipas CIA Ëorld Factbook.

Sipas medias britanike, Kurti tha se, që nga fundi i vitit të kaluar, dukej se Serbia, si e “autorizuar” e Rusisë, ishte “gati për të sulmuar” në kufirin verior me Kosovën. Trupat serbe në kufi u inspektuan nga ambasadori rus në Beograd, Alexander Botsan-Kharchenko, së bashku me politikanë të lartë serbë.

“Kur keni të bëni me Federatën Ruse dhe përfaqësuesit e saj në Ballkanin Perëndimor, mund të tronditeni, por asnjëherë të habiteni, sepse gjatë gjithë kohës ata ju japin prova dhe jo indikacione për sulmin e tyre të ardhshëm”, tha Kurti.

Mes këtij përshkallëzimi të një mosmarrëveshjeje për targat, BE dhe SHBA u thanë Kosovës dhe Serbisë t’i ulnin tensionet .

Kurti tha se kronikat e lajmeve që shfaqin liderin bjellorus Aleksander Lukashenko para një harte që gdhendte Ukrainën, të kujtonin drejtpërdrejt raportet e takimeve ndërmjet z. Vuçiç dhe presidentit rus Vladimir Putin.

Qeveria ruse dhe vetë presidenti Vladimir Putin e kanë krahasuar aneksimin e Krimesë me situatën në Kosovë. Media serbe e lajmeve RTV raportoi se Vuçiq pretendoi se ai dhe Putin kishin diskutuar për “hipokrizinë në marrëdhëniet ndërkombëtare” dhe duke përdorur veriun e Kosovës si shembull gjatë të cilit politikani serb “i tregoi atij në hartë”.

Serbia nuk e njeh Kosovën si shtet të pavarur dhe, për dallim nga shtetet e tjera evropiane, ka refuzuar të vendosë sanksione kundër Rusisënë prag të invazionit të saj në Ukrainë.

“Ata [Rusia] ishin i vetmi vend që nuk kishte vendosur sanksione kundër nesh në vitet 1990,” tha z. Vuçiq javën e kaluar, sipas një raporti nga Agjencia e lajmeve Reuters. Ai shtoi se Rusia e kishte mbështetur Serbinë në “integritetin e saj territorial në Organizatën e Kombeve të Bashkuara” duke refuzuar ta njohë pavarësinë e Kosovës. “Ne nuk duhet ta harrojmë këtë”, tha z. Vuçiq.

Vuçiq shërbeu si ministër i informacionit nën Sllobodan Millosheviqin, kreun e parë në pozitë të një shteti që u gjykua për krime lufte për përfshirjen e tij në mizori gjatë luftës në Ballkanin Perëndimor.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments