Policia e Kosovës në bashkëpunim me Prokurorin ë Themelore në Ferizaj ka vënë në pranga tetë persona të dyshuar për veprat penale penale “Ushtrimi i ndikimit”, “Dhënia e ryshfetit”, “Marrja e ryshfetit” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”, në rastin Brezovica.
Sipas prokurorisë në mesin e të arrestuarve janë tre ish-zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinorë dhe Infrastrukturës.
Express mëson se bëhet fjalë për ish-kryeshefin e Agjencionit për Mbrojtjen e Mjedisit, Ilir Morina dhe ish-këshilltarin e ish-ministrit të Mjedisit, Fatmir Matoshi, Zijadin Geci.
Inicialet e të dyve përmenden edhe në raportin e prokurorisë lidhur me aksionin. Ndërkaq emri i ish-zyrtarit të tretë të arrestuar të MMPHI-së ende nuk dihet.
Personat e arrestuar dhe të ndaluar për 48 orë janë: A.I., I.M., F.H., R.A., M.Sh., A.X., Z.G., dhe H.A.
Ndërsa, gjatë kontrollit në objektet e kontrolluara janë gjetur dhe konfiskuar: Dokumente të ndryshme, disa fletore me shënime, Tri (3)armë, Një (1) karikator me 5 fishek të kalibrit 7.65mm, Tre (3) fishek të kalibrit 6.35mm, Njëzet (20) fishek të kalibrit 7.62mm, Një (1) kompjuter, Një (1) veturë X6, Pesë (5) telefona, Një (1) orë dore.