Vjosa Osmani, një kundërshtare e përbetuar e Hashim Thaçit, të dielën u zgjodh presidente e Kosovës. Në këtë pozitë, ajo e pasoi ish-kryetarin e PDK-së. Ëndrrën e saj, personi më i votuar ndonjëherë në Kosovë e bëri realitet duke i bindur në forma të ndryshme një pjesë të deputetëve të merrnin pjesë në votim, ashtu siç kishte bërë edhe pararendësi i saj. Opsionin e zgjedhjes së Presidentit nga votat e popullit, para disa muajsh e kërkonte Osmani, ndërsa kundër kësaj shprehej LVV-ja.
Popullariteti i madh e çoi Vjosa Osmanin në përgjegjësinë më të lartë shtetërore. Por për të ardhur në këtë pozitë, ajo dhe partneri i saj i ri politik, kryeministri Albin Kurti, u deshën që t’i bindnin disa deputetë për të marrë pjesë në votim. Deri në mesditën e 4 prillit, nuk e dinin nëse deputetët e dy komuniteteve pakicë, Adem Hoxha e Fadil Gashi, do të merrnin pjesë në seancën e cila ishte thirrur për në orën 17:00, pasi në mungesë të të dyve, një ditë më parë kishte dështuar tentimi i parë për ta zgjedhur Osmanin shefe të shtetit.
Jo vetëm që u bindën Hoxha dhe Gashi që të merrnin pjesë në votim, por në synimin për t’i arritur 80 votat e nevojshme që duhej të futeshin në kuti, kryeministri Kurti e bindi dhe madje e mori krejtësisht në partinë e tij, deputeten Adelina Grainca, që e kishte fituar mandatin duke garuar me PDK-në.
Kreu i Partisë Unike Gorane, Adem Hoxha, konfirmoi se atë ditë ishte takuar me kryeministrin Albin Kurti, dhe se ky i fundit ia kishte ofruar kësaj partie edhe një pozitë zëvendëskryeministri në Qeveri. Me këtë ishte pajtuar Hoxha.
“Po, do të marrë pjesë në seancën ku do të zgjidhet presidenti. Unë nuk jam për të shkaktuar bllokadë institucionale. Po, si parti do ta kemi edhe një pozitë të zv.ministrit”, tha Hoxha.
Në kundërshtim me qëndrimin e partisë, në votimin për zgjedhjen e Osmanit mori pjesë edhe deputetja e AAK-së, Albena Reshitaj. Ajo ka mohuar të jetë joshur nga ndonjë ofertë për ta bërë këtë. Reshitaj tha se këtë po e bënte për të mos e lënë zgjedhjen e institucioneve në dorë të Listës Serbe.
Deputetja Adelina Grainca, e cila kaloi nga PDK-ja në LVV, tha se “largimi nga PDK-ja ka qenë për shkaqe politike”, ndërsa theksoi se kishte vendosur ta dëgjonte elektoratin e saj. Paraprakisht, PDK-ja tha se “Albin Kurti ka hyrë në pazare me deputeten dhe familjarët e saj duke i ofruar para të majme, privilegje dhe qasje në tenderë publikë për bizneset që kanë”, duke i kërkuar më pas që ta dorëzonte mandatin e deputetes.
Pazaret për Hashim Thaçin president
Zgjedhja e Hashim Thaçit në pozitën e shefit të shtetit, ishte bërë më së shumti në kurriz të diplomacisë kosovare. Përveç emërimeve në diplomaci, ishte dhënë leje për terminal doganor e ishin bërë punësime të familjarëve të deputetëve që e kishin ndihmuar ta arrinte synimin.
Në këmbim të votës për t’u zgjedhur president, Thaçi i kishte bindur deputetët e “padëgjuar” përmes favoreve të ndryshme. Vota dikujt kishte pasur kosto më të lartë, e e dikujt më të ulët.
Benefitet e fituara nga deputetët që ishin bindur në fund për të votuar, ishin bërë të ditura pak muaj më vonë. Pos lejes për terminal doganor që kishte marrë atëherë deputetja Margarita Kadriu, kishin dalur edhe të tjerë deputetë që kishin fituar poste diplomatike dhe favore të tjera.
Alma Lama, atë kohë deputete e LDK-së, ishte bërë ambasadore në Itali. Vëllezërit e dy deputetëve tjerë të LDK-së, Arben Gashit e Armend Zemajt, ishin ngritur në grada në diplomacinë kosovare si kompensim për votat e tyre.
Astrit Zemaj, vëllai i Armend Zemajt ishte avansuar nga pozita e konsullit në atë të zëvendësambasadorit. Në pozitë ishte ngritur edhe Asdren Gashi, vëllai i deputetit Arben Gashi. Nga këshilltari, ai ishte bërë zëvendësambasador i Kosovës në Hungari.
Teuta Sahatqija ishte emëruar konsulle e përgjithshme në New York të SHBA-së.
Rron Kryeziu, djali i atëherë shefes së kabinetit të ish-kryeministrit Isa Mustafa, Vlora Dumoshit, ishte punësuyar në Ambasadën e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Mundësia e zgjedhjes së presidentit nga votat e popullit, Vjosa Osmani shprehej pro
Çdo fundmandati të presidentit, partitë politike në Kosovë e kanë problem ta gjejnë një marrëveshje për ndonjë emër të përbashkët për këtë pozitë. Kësisoj, ai/ajo që e shpall kandidaturën, duhet të angazhohet edhe në pazaret me deputetë për ta bërë kuorumin e nevojshëm në sallë dhe 80 vota në kuti.
Kjo situtatë ka bërë që në opinionin publik të konsideroheshin disa herë ndryshimet kushtetuese që do ta mundësonin zgjedhjen e presidentit drejtpërdrejt përmes votave të qytetarëve. Sipas drejtorit të Institutit Kosovar i Drejtësisë, Ehat Miftaraj, kjo do të ishte zgjidhja më e përshtatshme.
“Në rrethanat e Kosovës me një demokraci parlamentare relativisht të re dhe në proces të ndërtimit të identitetit dhe përvojës kushtetuese dhe parlamentare, përcjellur me kriza kishtetuese dhe institucionale, zgjidhja më e përshtatshme në vitet në vazhdim pa dyshim se do të ishte zgjedhja e Presidentit të Republikës nga vota popullore. Një qasje e tillë po ashtu do të mund të arsyetonte faktin që në një demokraci parlamentare Presidenti te jetë kreu i shtetit dhe që përfaqëson unitetin e popullit të Republikë së Kosovës dhe garanton funksionimin kushtetues të institucioneve të përcaktuara me Kushtetutë”, ka thënë Miftaraj për Express.
Sipas tij, kjo nuk mund ta bëjë legjislatura aktuale e Kuvendit. Siç tregon Miftaraj, për ndryshimin e mënyrës së zgjedhjes së presidentit do të nevojitej ndryshimi i shumë dispozitave kushtetuese, e që sipas tij marrin kohë deri në tre vjet.
“Që një gjë e tillë të ndodh kërkon vullnet politik të partive politike të përfaqsuara në Kuvendin e Kosovës për të ndryshuar Kushtetutën e Kosovës e që në rastin konkret nënkupton reformë të thellë kushtetuese. Ndryshimi i qasjes së zgjedhjes së Presidentit nga Kuvendi te vota popullore, nënkupton ndryshimin e një numri të madh të dispozitave kushtetuese duke filluar prej formës së qeverisjes, dispozitave që ndërlidhen me Kuvendin e Kosovës, Presidentin, Qeverinë, etj. Që kjo të ndodh në praktikë, t’i qendroj kohës dhe të garantoj stabilitet politik dhe institucional, nevojitet përgatitje, konsultim mes partive politike, shoqërinë civile, praktikat më të mira ndërkombëtare, Komisionin e Venecias, OSBE-në, e që në terma kohor nënkupton së paku tre vite. Në këtë drejtim, realizimi i kësaj ideje pothuajse është i parealizueshëm gjatë kësaj legjislature”, tha Miftaraj.
Presidentja e sapozgjedhur, Vjosa Osmani, në fund të vitit 2020, kishte ripërsëritur kërkesën e saj që presidenti të zgjedhej përmes votës së popullit.
“Kërkesë e shumë akterëve politikë janë zgjedhjet. Për vite të tëra kam kërkuar që presidenti të zgjidhet nga qytetarët, meqë presidenti duhet të jetë përfaqësuesi i popullit. Deri më tani, nuk ka shkuar ashtu siç duhet për shkak të pazareve të votave”, deklaronte Osmani për “Euronews Albania”.
LVV-ja kundër zgjedhjes së presidentit direkt nga votat e popullit
Glauk Konjufca nga Lëvizja Vetëvendosje, po në fund të vitit që shkoi, në Pressing të T7 thoshte se nuk e favorizojnë zgjedhjen e presidentit përmes votave popullore. Për këtë, ai e përmendte një arsye.
“Qëndrimi i Vetëvendosjes është që mos me qenë përmes popullit, por ky nuk ka qenë një qëndrim i Vetëvendosjes i cili ka të bëjë vetëm me vetë substancën e presidentit si të tillë. Ka pasur të bëjë më shumë me fuqinë e Parlamentit. Do me thënë fuqia e Parlamentit të mos zbehet”, thoshte Konjufca.
Megjithatë, ai personalisht beson se zgjedhja e presidentit në të ardhmen do të bëhet përmes votave popullore.
“Unë, për shkak të kësaj që është duke ndodh, nuk e përjashtoj krijimin e një konsensusi të ardhshëm të forcave politike që presidentin me e zhvedos në popull. Do të vijë ajo situatë”, shprehej ai.